RTSH 24 Live

Kulturë

Iraniania që i këndon mëmëdheut: E ndjej veten shqiptare, më pëlqen muzika popullore

25/07/2024

Iraniania që i këndon mëmëdheut: E ndjej veten shqiptare, më pëlqen muzika popullore

“Atdheu im, Shqipëria ime” është kënga më e fundit popullore shqiptare që artistja me origjinë iraniane Sheyda Peyman, e njohur edhe si DO'A , i ka kushtuar vendit tonë.

E ardhur në vendit tonë që kur ishte 6 javëshe, ku prindërit i emigruan në Shqipëri për të qëndruar përgjithmonë, artistja Peyman thotë se ajo e ndjen vetën më shumë shqiptare dhe se kur është në SHBA shkruan këngë malli për vendin tonë.

“Prindërit i kam iranianë me orgjinë dhe kanë ardhur këtu në ‘91. Unë shkollën e kam bërë këtu, të gjitha i kam mësuar këtu dhe veten e ndjej më shumë shqiptare. Kam bërë miq të shumtë dhe më merr shumë malli për Shqipërinë. Këngën e shkruajta kur isha në Uashigton pasi kishe shumë mall. Këndoj me miqtë e mi shumë këngë shqiptare dhe i kthej në stilin Xhaz (jazz).  Gjithmonë shqiptarët më kanë pritur shumë mirë dhe me dashuri”, tha artistja për “Jetë Shqiptare” në RTSH.

Tekstin e parë e ka shkruar në moshën 16-vjeç, ndërsa pasionin për muzikën i ka filluar që kur ishte 2 vjeç. Albumi më i fundit është bërë gjatë periudhës së pandemisë, ku bashkëpunimet me artistë të huaj i ka të shumta.

“Kur isha 2 vjeç isha në një konferencë dhe unë isha atje duke kënduar dhe nuk kisha turp. Edhe sot nuk kam emocione kur dal në skenë por si diçka që dua ta ndaj me të gjithë. Isha njëherë në Gjermani tek gjyshërit dhe ato më thanë pse nuk shkruan këngë. E kam bërë për herë të parë që 16 vjeç.  Gjatë pandemisë kam riregjistruar albumin tim të ri ku kanë marrë pjesë njerëz nga e gjithë bota dhe të gjithë më kanë sjellë muzikën e tyre dhe unë kam incizuar zërin tim”, tha ajo.

Prindërit janë mbështetja më e madhe e saj, ndërsa muzika e preferuar është ajo popullore shqiptare që e sjell në versionet xhaz.

“Me tërheq muzika popullore shqiptare. Para 10 vitesh askush nuk e dinin ku ishte Shqipëria, kurse tani është bërë e famshme. Pa prindërit e mi nuk mund të jem këtu ku jam, mbështetja e tyre ka qenë e para”, tha artistja.

/rtsh.al/