RTSH 24 Live

Kulturë

Muralja e Vaçe Zelës në RTSH, Haliti: Pati impakt të jashtëzakonshëm te publiku

06/09/2024

Muralja e Vaçe Zelës në RTSH, Haliti: Pati impakt të jashtëzakonshëm te publiku

Piktori Helidon Haliti i ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, deklaroi se muralja e ikonës së muzikës shqiptare Vaçe Zela në Radio Televizionin Shqiptar, ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm.

Haliti zbuloi më tej për publikun se ideja për realizimin e murales së nderit të kombit, Vaçe Zelës erdhi nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, z. Alfred Peza.

Drejtori i Përgjithshëm i RTSH propozoi të bëjmë një murale. Ne jemi këtu për të bërë gjëra të bukura dhe vendosëm të bëjmë Vaçe Zelën, sepse ajo është fituesja e madhe. Publiku është shumë i mençur.

Vaçe Zela është një filozofi më vete. Vaçe Zela është e preferuara e popullit. Kjo murale ka pasur impakt shumë të madh dhe të mirëkuptohet nga të gjithë”, deklaroi Haliti.

Ikona e këngës shqipe, nderi i kombit, Vaçe Zela tashmë është përjetësuar në një murale në Radio Televizionin Shqiptar, aty ku ajo mori famën që e shoqëroi gjatë gjithë jetës së saj.

Vepra e veçantë në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar u realizua nga artisti me famë ndërkombëtare Maximiliano Debasko, në një punë të palodhur prej dy ditësh.

Ikona e këngës shqipe, Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio Televizionin Shqiptar që prej organizimit të parë të tyre.

Është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Në vazhdim të karrierës do të fitonte edhe 11 çmime të tjera të para.

Do të largohej përfundimisht prej skenës në vitin 1992, duke lënë pas një kontribut të konsiderueshëm në muzikën shqiptare me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada e të tjera e tashme në muralen e realizuar do jetë e përjetësuar në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar përgjithmonë.

Artisti Maximiliano Debasko në kuadër të Mural Fest me kurator piktorin dhe artistin Helidon Haliti  realizoi në Tiranë edhe muralen e shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa një vit më parë pikturoi portretin e yllit të futbollit ndërkombëtar Lionel Mesi.

Maximiliano Debasko është një artist mjaft i njohur për realizimin e portreteve e figurave me famë botërore si të futbollistëve David Bekam dhe Ronaldinjos.

/rtsh.al/