Fest 63 është kthyer këtë vit në tribunën e mesazheve të domosdoshme për fenomenet që prekin shoqërinë tonë. Brixhida Muça ishte një tjetër grua që u ngjit në skenën magjike, ku përmes historisë së saj dha jo pak mesazhe force.
Përballja me dhimbjen më të madhe për një nënë, ta shohë fëmijën e saj sëmurë, nuk e mposhti Brixhidën. Ajo tregon se si mësoi ta kthente dhimbjen dhe trishtimin në forcë dhe kurajë për të ndihmuar djalin e saj.
“Gjithmonë kam dashur të vishem bukur, edhe në kohën e komunizmit. Dëshira për të bukurën ishte një rebelim, një copëz lirie që nuk ma merrte askush. Por jeta ndryshon, erdhi demokracia dhe bashkë me të një botë që nuk e njihja, besimi, feja. E gjeta besimin dhe ndjeva sikur dikush më kishte hapur një derë drejt vetes, drejt të vërtetës. Jo të gjithë e kuptonin dëshirën time për t’u mbuluar.
Sfida me opinionin ishte e madhe, por unë isha e bindur në vendimet e mia. Pastaj erdhi martesa dhe më pas djali im, bekimi im, por bekimet ndonjëherë vijnë me sfida. Ai që në fillim luftoi me jetën dhe unë me dhimbjen pa e marrë ende në krah, pa ja ndjerë aromën. U diagnostikua me probleme në zemër dhe në moshën 6 muajsh konstatuam se nuk dëgjon, u tronditëm. Në moshën 2 vjeç djali hyn në një botë të izoluar, të panjohur për ne, në ishullin e autizmit. Ditët tona ishin të mbushura me përpjekje, lot e gëzime të vogla që për të tjerët dukeshin të zakonshme. Luftoja me këmbëngulje për ta dëgjuar të thotë ‘o ma’. Për ne edhe një përqafim ishte fitore. Por i thash vetes se nëse vajtoj dhe them ‘ç’më gjeti’, nuk do ta ndihmoj djalin. Kuptova se të pranosh autizmin është hapi i parë për të mos u dorëzuar.
Në këtë situatë Zoti na bekoi me një vajzë. Frika se mos dilte me probleme shëndetësore si djali, nuk më mposhti që të mos mendoja për fëmijë tjetër. Por sikur të mos mjaftonte sfida me djalin, erdhi sfida tjetër, kancer në kokë. Ndjeva sikur u hap qielli, por nuk thash pse ne, pranova fatin tim dhe i thash vetes se do të luftoj me ç’të mundem për tim bir. Shikoja tim bir me buzëqeshjen e tij dhe thoja do luftoj për të. Falë Zotit, shpresës e këmbënguljes ja dola ta shoh djalin sërish në këmbë, të hajë vetë e të bëhet i bukur si më parë.
Ai po jeton me kancerin akoma në kokë jashtë pritshmërive të shkencës dhe ne prindërit jetojmë me të sikur të jetë dita, ora, minuti i fundit. Nga kjo dhimbje lindi nisma “Lumturo Dhimbjen”, me dy kauza, autizmin dhe kancerin. E më pas u hap qendra ditore me shërbim falas që është një strehë ku gjejmë forcë të ndërtojmë shpresë për fëmijët me autizëm dhe familjarët e tyre. A do ja dal të lumturoj dhimbjen? Vetëm, ndoshta jo, por të gjithë së bashku po!”, rrëfeu ajo.
/rtsh.al/