RTSH 24 Live

Kulturë

“Këndi i Fest 63”, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi sjellin prapaskenat e natës së dytë

9 orë para

“Këndi i Fest 63”, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi sjellin prapaskenat e natës së dytë

Për të dytën natë radhazi, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi do të sjellin në “Këndin e Fest 63” prapaskenat e aoristëve pjesëmarrës në garë.

Ngjitja në skenën magjike të Fest 63 nuk ka qenë e lehtë, por një rrugë e mbushur plot sfida për artistët pjesëmarrës në garë. 4 minutat e interpretimit të tyre në skenë janë vetëm “maja e ajsbergut” e ditëve dhe netëve të mbushura me prova, “pluhurin” e skenës, për të arritur nivelin thuajse të përsosur të interpretimit skenik. Të pathënat, artistët do t’i zbulojnë menjëherë pas interpretimit të tyre në “Këndin e Fest 63”.

Hapi natën e dytë të Fest 63, Mal flet për “Antihero”

Mal Retkoceri, fituesi i Fest 62, është sërish në garë këtë vit për trofeun e madh. Ai hapi këtë natë të dytë  të Fest 63, ndërsa pas performancës elektrizuese në skenë ka treguar në “Këndin e Fest 63” edhe një incident me të cilin u përball.

Mu hoq kufja, gjysmën e dytë të kufjes nuk e dëgjova veten. Nuk duhej të ishte hequr, mbase nga lëvizjet, unë e testova dhe në prova nuk mu hoq, në skenë u hoq. ‘Antihero’, është në mes, as i keq as i mirë dhe nuk di ku ta gjej veten në çfarë kategorie jam. Kështu edhe vjet njerëzit nuk po dinin a të më pëlqenin apo jo, çfarë është ky, nga doli ky? Teksti i ka lënë përshtypje publikut”, tha ai.

Devis Xherahu: Gruaja është më kritike, kurse nëna ma bën qejfin gjithnjë, sido që të këndoj

Këngëtari Devis Xherahu, pjesëmarrës në Fest 63 me këngën ‘Ka momente’ menjëherë pas performancës skenike ka shprehur emocionet që ka ndjerë në skenë gjatë një bashkëbisedimi në ‘Këndi i Fest 63’, ku artistët rrëfejnë në prapaskënë emocionet dhe përjetimet me moderatorët, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi.

Sipas tij, është nder jo vetëm për mua por për çdo shqiptar që të marrë pjesë në eventin më të madh të muzikës shqiptare dhe se skena është një ‘Krevat Perandori’.  

“Është Sanremo shqiptar. Të këndosh me orkestrën e RTSH-së është një magji e vërtetë. Publiku më priti shumë mirë dhe kjo më ngroh shumë. Që kur e shkrova këngën mendova se ishte për Festivalin. Çmimi është realtiv. Të gjithë e duam, por për mua rëndësi ka kënga, jetëgjatësia e saj dhe kur e këndon publiku ndjehem akoma më shumë i vlerësuar. Bashkëshortja dhe nëna ime është më kritike, kurse nëna gjithnjë më bën qejfin sido që të jetë performanca”, tha Xherahu.  

“Këndi i Fest 63”- Vesa Smolica: Kur del në skenë është magji e vërtetë

Vesa Smolica u ngjit në këtë natë të dytë të Fest 63 me këngën “Lutem”, duke dhuruar një performancë plot energji.

Në “Këndin e Fest 63”, ajo foli për magjinë që ndjeu në skenë dhe ngrohtësinë me të cilën e priti publiku.

Unë te vetja gjithmonë kam besim dhe së pari duhet të besosh te vetja dhe më pas të dalësh atje dhe të ndezësh skenën. Kur del në skenë është magji e vërtetë, është ajo ngrohtësia e publikut që t’i heq ato emocionet negative dhe merr mbrapsht ato pozitive. Nuk ka ndjenjë më të bukur, unë kam lindur për skena të mëdha të live. Më bëhet qejfi që kjo performancë ka për t’u dokumentuar, shpresoj që i kam marrë  zemrën publikut dhe për mua kaq mjafton”, tregoi këngëtarja.

/rtsh.al/