RTSH 24 Live

Aktualitet

Rinas- Qëllon me armë zjarri kundër policisë, prangoset 34-vjeçari, s’ka të lënduar në radhët e uniformave blu

3 orë para

Rinas- Qëllon me armë zjarri kundër policisë, prangoset 34-vjeçari, s’ka të lënduar në radhët e uniformave blu

Policia e Tiranës bëri të ditur se të enjten në mbrëmje është qëlluar me armë zjarri drejt punonjësve të policisë gjatë një aksioni për kapjen e një personi me precedent kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje. Ai është prangosur nga forcat e policisë, të cilat nuk janë lënduar nga të shtënat me armë ndaj tyre.

Sipas policisë, gjatë arrestimit atij i është sekuestruar edhe arma e zjarrit me të cilën qëlloi në drejtim të policisë, si dhe municioni.

“Shërbimet e Forcës  Operacionale të DVP Tiranë pasi kanë marrë informacion për një shtetas i cili mbante armë zjarri në subjektin e tij kanë organizuar punën me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjatë ndalimit të shërbimeve të Policisë në subjektin e tij privat në Rinas, shtetasi i identifikuar me inicialet K. B, ka qëlluar në drejtim të Policisë nga brenda subjektit të tij. Nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar.”, njofton policia.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe shoqërimin për në ambientet e DVP Tiranë.

“Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë bërë arrestimin e shtetasit K. B., 34 vjeç, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”, njofton policia.

/rtsh.al/