Numërimi i më shumë se 90 për qind të vendvotimeve në Kosovë ka rritur shpresat e kryeministrit Albin Kurti për një tjetër mandat qeverisës. Rezultatet paraprake tregojnë një avantazh të dukshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila kryeson me 41.00% (311,907 vota), bazuar në 90.13% të vendvotimeve të administruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Rezultatet paraprake konfirmojnë fitoren politike të LVV-së, por formimi i qeverisë do të varet nga koalicionet e mundshme.
Pas Lëvizjes Vetëvendosja, sipas KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.37% (170.198 vota), ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.57% (133.693 vota). Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma kanë arritur 7.56% (57.539 vota), ndërsa Lista Serbe ka marrë 3.98% (30,273 vota). Po ashtu, Koalicioni për Familje ka grumbulluar 2.30% (17,505 vota) deri në orën 11:07.
Procesi zgjedhor i së dielës u zhvillua qetësisht me një pjesëmarrje prej 40.59% të votuesve.
Kryeministri aktual, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhje, duke theksuar se ky rezultat është rezultat i një qeverisjeje të mirë dhe se Vetëvendosja do të formojë Qeverinë "Kurti 3". Ai falënderoi qytetarët për besimin dhe theksoi se asnjë parti tjetër nuk mund të krijojë qeveri pa votat e LVV-së.
Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pranoi se rezultati i partisë së tij nuk ishte i kënaqshëm dhe falënderoi aktivistët për angazhimin. Ai theksoi se LDK do ta respektojë rezultatin dhe do të vazhdojë rrugën e saj politike.
PDK, e cila renditet e dyta sipas numërimit të votave, vlerësoi procesin zgjedhor si të qetë dhe demokratik, duke falënderuar votuesit.
6:02 Sipas të dhënave Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë numëruar 2.230 nga 2.533 (88.04%) vendvotime në Kosovë, dhe deri tani rezultatet janë:
- Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 41.29% (306.556 vota)
- Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.83% (162.033 vota)
- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.75 % (131.798 vota)
- AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma me 7.68% (56.994 vota)
- Lista Serbe me 3.96% (29.406 vota)
- Koalicioni për Familje me 2.31% (17.174 vota)
23:00 - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përditësuar të dhënat e numërimit të votave për zgjedhjet për Parlamentin e Kosovës.
Sipas KQZ në Kosovës, mësohet se janë numëruar mbi 50% të votave, ku nga 2,533 vendvotime, votat kanë arritur të numërohen në 1,289 sosh.
Nga ky numërim i deritanishëm, Lëvizja Vetëvendosje prin me 37,50%. Pasohet nga PDK me 29.80%, LDK 16.29% dhe koalicioni për Kosovën Fituese me 7.92%.
Lista Serbe deri më tani ka arritur të marrë 2.28% të votave dhe Koalicioni për Familjen 2%.
KQZ më herët informoi se serveri ka pasur probleme, si pasojë e mbingarkesës. Kjo ka bërë që informimi i publikut të jetë më i ngadalshëm.
20:30 - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur fillimin e numërimit të votave, ku deri me tani janë numëruara 5.29 për qind të votave, bazuar në 134 vendvotime.
Sipas të dhënave në faqen zyrtare të KQZ-së rezultatet e para flasin për një epërsi të Vetëvendosjes ku nga 5.29% e votave të numëruara janë si vijon: Vetëvendosje 37.18%, PDK 25.10%, LDK 17.28%, AAK-Nisma me partnerët 8.86%, Lista Serbe 4.98% dhe Koalicioni për Familje 1.46%.
Ndërkaq më herët, Policia e Kosovës bëri të ditur se procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze.
Duke iu referuar të gjitha elementëve të sigurisë, Policia e Kosovës vë në dukje se zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe incidente.
“Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar/cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”, thuhet në njoftimin për media të Policisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot janë iniciuar gjashtë raste, prej tyre katër të cilësuara si “Veprat Penale Kundër të Drejtave të Votimit“ dhe dy raste penale “Sulm ndaj personit zyrtar & Kanosje“.
“Janë shoqëruar 7 persona të dyshuar, ku me autorizim të prokurorit 4 prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse 3 janë liruar në procedurë të rregullt, raste këto të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, vazhdon njoftimi.
/rtsh.al/