Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpallur fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke theksuar se ky rezultat është si rezultat i një qeverisjeje të mirë dhe të suksesshme. Kurti falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe siguroi se koalicioni i tij do të formojë Qeverinë e re "Kurti 3".
Gjatë një prononcimi për mediat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet parlamentare dhe për votimin pa incidente, duke theksuar se procesi ishte i lirë, demokratik dhe i ndershëm. Ai falënderoi gjithashtu policinë për sigurinë e ruajtur gjatë procesit zgjedhor.
"Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Faleminderit për besimin e dhënë nga votuesit e koalicionit tonë. Ky është një rezultat i një qeverisjeje të mirë," tha Kurti, duke theksuar se koalicioni i tij fitues do të formojë Qeverinë e re të Kosovës, Kurti 3.
Kurti theksoi se edhe pse partitë e tjera mund të bashkohen, ato nuk mund të krijojnë qeveri pa votat e Vetëvendosjes.
Ai tha qytetarët i kanë rezistuar një lufte hibride, kundër Vetëvendosjes, duke shtuar se “populli fitoi, fitoi Vetëvendosja”.
/rtsh.al/