RTSH 24 Live

Aktualitet

Reshje shiu dhe erë në Lezhë. Uji mbulon disa rrugë, ndalohet lundrimi në Shëngjin

6 orë para

Reshje shiu dhe erë në Lezhë. Uji mbulon disa rrugë, ndalohet lundrimi në Shëngjin

Lezha është përfshirë nga rrebeshe shiu të shoqëruara me erë të fortë.

Shiu ka nisur prej orëve të para të mëngjesit dhe vijon të jetë prezent në të gjithë territorin.

Kjo situatë ka bërë që ujërat të përhapen në disa rrugë të qytetit dhe në aksin drejt Shëngjinit, duke krijuar për rrjedhojë edhe trafik të rënduar. Problematika më u madhe u paraqit në rrugën pranë tregut të qytetit, në bulervardin “Gjergj Fishta” dhe rrugën “Luigj Gurakuqi”. 

Në të gjitha akset brenda qytetit është krijuar kaos në lëvizje, ndërsa një numër i lartë efektivësh të Policisë Rrugore dhe asaj të rendit janë angazhuar në pikat më problematike, duke sfiduar shiun e dendur për të lehtësuar lëvizjet.

Reshjet e shiut sollën probleme edhe në aksin rrugor Lezhë–Shëngjin. Ky segment u përmbyt në një gjatësi prej 100 metrash, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa problematika të ngjashme u shfaqën edhe në rrugën e Kunes. 

Ndërkohë nga moti i keq është ndaluar dalja e mjeteve të vogla të peshkimit në det, pasi dallgëzimi është i lartë dhe përbën rrezik për lundrim.

Gazetar: Elvis Hila

/rtsh.al/