Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi këtë martë (3shtator) një takim me zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim, nga ku u bëri thirrje komuniteteve joshumicë që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.
Kjo siç tha Kurti, do të mundësonte planifikim më të mirë të investimeve.
“Ne kemi hapur 498 vende pune të rezervuara për komunitete si regjistrues dhe mbikëqyrës, po ashtu kemi ndarë më shumë 100 mijë euro për organizata joqeveritare për komunitete. Çdo shtëpi, çdo banesë ka të drejtë të regjistrohet me përkasin e vet etnike... Me informacionet që do të mblidhen nga regjistrimi ne do të kemi mundësinë si shtet të planifikojmë siç duhet për nevoja reale të popullsisë tonë, të dimë se sa shkolla na duhen e ku të investojmë në ekonomi”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tregoi disa nga hapat që si qeveri kanë marrë për të ndihmuar komunitetet në vend.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka ndarë 1 milionë euro për projekte infrastrukturore. Kemi parë dhe zhvillime të tjera pozitive në vend komunash sikurse para një viti njohja e gjuhës rome si gjuhë në përdorim në Prizren, ashtu siç është në Graçanicë. Për bashkim ndërmjet komunave për të mirën e komuniteteve kemi si shembull linjën e re të autobusëve nga Prishtina në Kishnicë, linjë e cila u hap dje, kjo linjë u mundëson studentëve të udhëtojnë më një biletë”, vijoi Kurti.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet të fillojë më 1 nëntor.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/