RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Shpresoj që rrugëtimi i Shqipërisë për në BE, të mos jetë më i lidhur me Maqedoninë e Veriut

17/02/2024

Rama: Shpresoj që rrugëtimi i Shqipërisë për në BE, të mos jetë më i lidhur me Maqedoninë e Veriut

Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë në konferencën e Sigurisë në Mynih, gjatë diskutimeve në panelin mbi “Ballkanin Perëndimor dhe çështjet aktuale, perspektivën e përbashkët dhe të ardhmen e sigurisë globale në një kohë sfidash”, deklaroi se shpreson që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos jenë më ‘çift’ në rrugën e integrimit evropian si deri më tani.

Rama tha se, kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin bashkë u bllokuan nga Bullgaria. Sipas tij, ky ishte një veprim anti- evropian i një vendi të BE-së, që nxit nacionalizma të panevojshme.

“Më duhet të them që po kërkoni ekspresin e pamundur. Këtu në Gjermani më duhet ta zbatoj këtë ekspres. Por këtu më shumë sesa ekspres, do ishte nevoja për kafe turke. Kjo kafe do përbëhej nga uji, pra që çdo gjë do të jetë në rregull. Po ashtu nga një lloj mase pluhuri kafe, që nënkupton, dhe shpresën që të jemi të shkëputur nga Maqedonia e Veriut, pasi herën e fundit që ishim ‘çift’, s’na lejuan të hidhnim asnjë hap tjetër, për shkak të një situate që na thanë s’lidhej aspak me Shqipërinë, por me Bullgarinë!!”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se janë zhvilluar konferencat ndërqeveritare dhe proceset e kontrollit të legjislacionit, “por s’jemi më çift, pra bashkë”.

“Përzierja e ujit me këtë masë pluhuri kafe, që është gati për t’u përshtatur, është fakti se situata në Maqedoninë e Veriut është rezultat i BE-së, që nuk është në gjendje t’i japë fund praktikës së rrëmbimit të vendeve. Kjo nënkupton, që të lejojë vendet anëtare të përdorin, vendin e tyre në tryezën e BE si një levë kundër fqinjëve. Kjo është gjëja më anti-evropiane e mundshme”, nënvizoi Rama.

Sipas tij, kjo metodë më pas jep pasoja edhe në vetë këto vende.

“Kjo është flaka që ndez më shumë nacionalizmin, dhe ato që dëmton ato janë të qepura tanimë, ndërsa jemi në një kohë kur kemi lënë pas nacionalizmin dhe po ecim përpara”, tha Rama.

Rama: Probleme me Greqinë? Jo, ne e dashurojmë Greqinë

Kryeministri Rama, i pyetur për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, tha se e dashuron vendin fqinj.

Ai tha se e do Greqinë dhe nuk mund ta fusin në asnjë mënyrë në konflikt me të.

“Probleme me Greqinë? Jo, ne e dashurojmë Greqinë. Nuk erdha në Mynih për të shqetësuar miqtë e mi Greqi. Dhe ato duan të më shohin, të dëgjojnë tonin e zërit kur them diçka, por unë e dua Greqinë dhe nuk na fusni dot në asnjë mënyrë, nuk na vini në konflikt me Greqinë. Ende nuk është zgjidhur nëse kafja është greke apo turke, por kur thashë kafe turke, e thashë se ka turq në Gjermani, jo se nuk është kafe greke. Prandaj u them miqve të mi grekë, të mos e keqkuptojnë kafen”, tha Rama.

Rama: Prishtina zyrtare duhet të bëjë pjesën e saj dhe të lërë BE dhe SHBA të merren me Serbinë

Kryeministri, i pyetur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, tha se Prishtina zyrtare duhet të bëjë pjesën e saj dhe të lërë BE dhe SHBA të merren me Serbinë.

Sipas Ramës, është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptojë se nuk është vetëm, por është me BE dhe SHBA dhe duhet të bëjë pjesën e saj në planin franko- gjerman, pavarësisht nga veprimet që bën Serbia.

Rama tha se Vuçiç gaboi kur shpalli gjendje zie për atë që ndodhi në Banjskë.

“Unë besoj se ka një gjë thelbësore që nuk duhet harruar, sidomos nga ana jonë. Pra nga ana e vendeve që kanë bërë zgjedhjen, sepse askush sinqerisht s’na ka detyruar që të vendosim se ku të pozicionohemi. Shqiptarët veçanërisht s’kanë patur shansin të zgjedhin për shekujt të tërë dhe ditën e parë që mundën të bërtisnin atë që donin, thanë “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”, ky ishte slogani”, tha Rama.

“Jo, tani duam Evropën si Shqipëria, por kjo është temë tjetër. Ne kemi zgjedhur. Për mua nuk është kurrë kjo një justifikim për të mos bërë detyrat e shtëpisë, në qoftë se dikush tjetër, bënë gjëra që të cilat sigurisht nuk janë aspak pjesë e apo në kuadër të botës që ne duam, dhe ku duam të jetojmë dhe që natyrisht janë në kundërshti me zgjedhjen tonë. Serbia vërtetë e ka prishur punën jo atë ditë që ndodhi Banjska, por të nesërmen, kur presidenti Vuçiç e shpalli ditë zie për ata që e kryen sulmin”, tha Rama.

“Por, s’duhen harruar ato që janë objektivat, dhe ku duhet të qëndrojë Kosova. Nuk duhet harruar kjo. Dua të them atë që është për t’u thënë. Kosova nuk po negocion me Serbinë, por po negocion me BE dhe SHBA, siç ne po negociojmë me BE. Çfarë dua të them se ka një plan franko-gjerman, që është mjaft i qartë, ka gjëra që duhet t’i bëjë njëra palë, dhe gjëra që duhet t’i bëjë pala tjetër. Pse duhet që Kosova të shkojë në Bruksel, ndërkohë që të mbaj anën e saj, të nënshkruajë 1, 2, 3, 4 apo pesë gjëra, të bëjë pjesën e saj dhe t’i lërë ata të merren me palën tjetër. Nuk është justifikim për të mos bërë gjëra kur pala tjetër sillet keq”, shtoi Rama.

“Sepse në këtë kontekst, nuk ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë, por ka të bëjë me diçka që ndodh në një kuadër ku janë BE dhe SHBA. Serbia me gjithë progresin që ka bërë nuk është një vend etalon, për të thënë që ata po bëjnë këtë, atë tjetrën dhe pse jo. Ti bënë pjesën tënde. Ne në Shqipëri, dhe të gjithë ne këtu, nuk na pëlqejnë të gjitha gjërat që bëjmë, por duhet të i bëjmë për të qenë së bashku në këtë komunitet. Kur ndonjëherë kur marrin vendimin, që sikur s’më duket i drejtë, nuk na takon që në këtë rast të bëjmë diçka të gabuar, na duhet të qëndrojmë së bashku”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë kujtoi dhe shprehjen e Blinken në Tiranë.

“Ashtu siç Sekretari Blinken tha: Ne jemi krah për krah në kohë të mira dhe në kohë të këqija, në kohë të lehta dhe kohë të vështira. Kjo  është dhe qasja ime. Kemi fqinjë, që janë në BE. Dhe ato duhet të mos harrojnë që kur kanë të bëjnë me ne, duhet të marrin parasysh dhe marrëdhëniet e fqinjësisë, kanë një detyrim më shumë për të përfaqësuar atë që përfaqëson BE dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë. E njëjta gjë për ne, për Kosovën dhe Serbinë. Serbia duhet të vendosë. Por, Kosova nuk ka asgjë për të vendosur, është vendosur, është një vend pa dyshim në këtë komunitet me BE dhe SHBA”, nënvizoi ai.

Rama: Faktet tregojnë se me Trump në Shtëpinë e Bardhë, NATO u forcua, nuk u dobësua

Kryeministri tha ndër të tjera se përtej deklaratave të bëra nga kandidati për president Donald Trump, aleanca e NATO-s u forcua kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Ramës, nuk ka për të pasur sulme, por Evropa pavarësisht kësaj, duhet të rrisë investimet në siguri dhe këtë duhet ta bëjë për vete.

“Dua të jem këtu në pozitën për të dëgjuar këto deklarata të cilat natyrisht bëhen nga Ambasada e SHBA, kur ne nuk shkojmë mirë mes nesh. U bëj thirrje republikanëve dhe demokratëve të punojnë dhe të bëjnë më të mirën për kombin dhe popullin amerikan, sepse kjo është ajo që do na thonin ne. Tani që ata ngjajnë si ne, është mirë që t’u kujtojmë se janë më mirë sesa kaq”, tha Rama.

“Thënë kjo, nuk do ta mbi dramatizoja, Mali i Zi nuk do sulmohej, pasi kushdo që do të sulmonte Malin e Zi, do shikonte se është më mirë të rrinte në plazh se të vriste malazezët. Është një vend ku do të argëtohesh e të kalosh mirë, jo të bësh sulme. Seriozisht, përtej mbi dramës, nuk ndihem mirë kur shoh aleatët e mëdhenj, që janë të alarmuar se po vjen diçka”, u shpreh Rama.

“Vendet anëtare të BE duhet të rrisin shpenzimet, jo se po vjen dikush në shtëpinë e bardhë, por sepse apo për shkak të Evropës dhe për hir të atyre. Nëse më kujtohet mirë, përpara 2016, ishte i njëjti diskutim. Ishte Trump, që tha se NATO është e vjetruar dhe pati diskutime. Por faktet tregojnë se me Trump në Shtëpinë e Bardhë, NATO u forcua, nuk u dobësua”, vijoi Rama.

“Ajo që u konfirmuar si objektiv më parë, mbeti i tillë. Nëse sot, mbrojtja evropiane, është më e fortë, apo është bërë më e fortë, kjo ka të bëjë me trysninë amerikane. Ka qenë dëshmitarë i saj, për të rritur shpenzimet. Politika është politikë, zgjedhjet janë zgjedhje. Ka një mbi ballkanizim të politikës dhe në SHBA. Donald Trump është Trump dhe ditën kur zgjedhjet mbarojnë, SHBA i kthehen punës së tyre. Nuk e shoh si tragjedi, është demokracia amerikane ajo që vendos. Të mendosh që do vijë ndonjë rrezik nga SHBA, kjo nënkupton se duhet vërtetë një ekspres”, nënvizoi Rama.

/rtsh.al/