Kryeministri Edi Rama vlerësoi ecurinë e pozitive të reformës në drejtësi, që lidhet me punën e Prokurorisë Speciale, ndërsa tha se, kjo reformë duhet të shtrihet edhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Në takimin me pensionistë të mërkurën në Durrës, Rama theksoi se, “...sot, çfarë shqiptarët shohin dhe përshëndesin si rezultate të reformës në drejtësi lidhet me punën e Prokurorisë Speciale. Ndërsa në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, duke filluar nga Prokuroria e Tiranës, kemi probleme të mëdha që flasin, për sa shumë nevojë ka që kjo reformë të shtrihet në praktikën e përditshme të këtyre prokurorive”.
Lidhur me evazionin fiskal shmangie taksash me miliona, zoti Rama tha se "Në prokurorinë e Tiranës prej vitesh janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Rama tha se, ky është i gjithë zinxhiri që duhet mbyllur.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe kemi një plan që na e mundëson një zhvillim tjetër që është digjitalizimi i transaksioneve. Sot praktikisht të gjitha bizneset i kemi në sistem të digjitalizuar, por edhe aty kanë filluar të bëjnë hile. Por tani kemi një tjetër mekanizëm që po e vëmë në funksion me inteligjencën artificiale, që do të jetë e pamundur të na shmangen nga detyrimet”, deklaroi kryeministri.
Sipas ATSH
/ rtsh.al /