RTSH 24 Live

Politikë

Rama për presidentin Trump: Rikthimi i tij, mundësi për t’i bërë gjërat ndryshe në Europë

07/11/2024

Rama për presidentin Trump: Rikthimi i tij, mundësi për t’i bërë gjërat ndryshe në Europë

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për kryeministrin Edi Rama, mund të jetë një mundësi e mirë për t’i parë dhe për t’i bërë gjërat ndryshe në Europë dhe në botë. Komentet Rama i bëri nga Budapesti, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se presidenca e kaluar Trump e bëri NATO-n më të fortë dhe ai sërish mund të ndikojë pozitivisht në Europë.

Është bërë  shumë zhurmë, ndoshta jo në mënyrë e duhur, për kthimin e tij. Përvoja më thotë që kur ishte President, ne thoshim që NATO do bëhet më e dobët, po u bë më fortë. Kështu që le të shohim, dhe të mos bëhemi histerikë përpara  se të shohim realitetin. SHBA është SHBA dhe nuk mendoj që kjo mund të jetë gjë e keqe për Europën, mund të jetë gjë e mirë për Europën”, tha Rama.

I pyetur mbi Ukrainën, Rama tha se edhe lidhur me luftën, ardhja e Trump në krye të SHBA-së nuk është diçka për t’u shqetësuar, por për të reflektuar.

Mendoj që nuk është domosdoshmërish diçka për t’u shqetësuar por për të reflektuar për të bërë më tepër për të patur një Europë më të fortë. Nuk mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në SHBA është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese, mund të jetë një mundësi e madhe për t’i bërë gjërat ndryshe në Europë dhe në botë. Për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë sepse asgjë nuk ndryshon”, deklaroi ai.

Ndërsa për Shqipërinë, Rama tha se nuk përbën ndonjë dallim se kush vendoset në krye të SHBA-së, pasi shqiptarët janë komuniteti më proamerikan në Europë.

Shqiptarët janë komuniteti më pro amerikan në Europë kështu që kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë nuk bën ndonjë dallim të madh. Ne jemi shumë më pak të prekur nga kjo sepse për ne është e njëjta gjë. Mund të jetë një mundësi për ta parë botën paksa ndryshe, Europën paksa ndryshe sepse Europa po bëhet më e vjetër dhe ka nevojë për më shumë energji, më pak rregullime dhe mbase është mundësi për t’i vënë në lëvizje gjërat”, u shpreh kryeministri.

Komuniteti Politik Europian pritet të mbahet në Tiranë në gjysmën e parë të vitit 2025. Ai e konsideroi këtë një “krenari” për Shqipërinë. 

Do marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Europian në Shqipëri gjysmën e parë të vitit që vjen. Ndryshimi i klimës është në krye të përparësive të vendeve europiane, sigurisht që ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Ne jemi shumë krenarë që do të presim këtë”, theksoi ai.

/rtsh.al/