Në liqenin Garda, jo shumë larg nga Verona, në Itali, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, janë takuar sot në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Kjo është hera e parë që takimi i liderëve të nismës “Ballkani i Hapur”, mbahet jashtë kufijve të Ballkanit Perëndimor
Pas takimit, të tre liderët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp, ku temë kryesore kanë qenë rezultatet e arritura deri më tani në kuadër të iniciativës, por edhe planet e ardhshme, të cilat ideohet që do t'ua lehtësojnë jetën qytetarëve dhe biznesmenëve të rajonit.
Gjatë një komunikimi me mediat, kryeministri Rama tha se shkëmbimi tregtar ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, janë rritur me 24.8 për qind gjatë vitit 2022, dhe se kjo, sipas tij, është një rritje e madhe si rezultat i projektit “Ballkani i Hapur”.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitrov Kovaçevski, Rama tha se projekti i Ballkanit të Hapur është jashtëzakonisht i rëndësishëm për këto tre vende.
“Ne të tre jemi këtu, sepse jemi pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha në Evropë, prodhimit të verës në Verona, dhe është hera e parë që prodhuesit tanë mund të tregojnë se çfarë mund të bëjnë në këtë panair të Champions League. Këtë do ta përsërisim edhe në muajt në vijim”, tha Rama.
Rama bëri të ditur se takimi i radhës do të jetë në fund të majit në Shqipëri, ndërkohë që do të ketë edhe një panair vere po në Shqipëri. Ai tha se do të fillohet të organizohet edhe ajo që është paralajmëruar shumë kohë më parë, që lidhet me kampin e parë për fëmijë që shkojnë në shkollat fillore dhe të mesme, me ekipet më të mira sportive.
“Fëmijët do të mësojnë nga njëri-tjetri dhe do të përfitojnë prej saj”- tha kryeministri Rama.
Ai theksoi se është e rëndësishme që të tre vendet të punojnë në një këndvështrim strategjik për forcimin e lidhjeve me BE-në, forcimin e bashkëpunimit, dhe në të njëjtën kohë për të siguruar që të ketë një dialog.
“Ne nuk do të kërkojmë dhurata apo përshpejtime me mjete artificiale, pasi procesi i integrimit është i rëndësishëm për ne. Ne nuk jemi diku, por jemi në mes të Evropës dhe këtë do ta diskutojmë gjerësisht edhe në maj”, tha Rama.
Rama tha se mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën, ndonjëherë janë vërtet të mëdha, duke nënvizuar se nga ana tjetër kjo është një arsye për të folur më shumë dhe jo më pak. Ai shtoi se kryeministri i Kosovës, Kurti, tani është shumë më i hapur se më parë. "Ndonjëherë ka mosmarrëveshje vërtet të mëdha mes nesh, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën. Dialogu është gjëja më e rëndësishme"- tha ai.
Rama tha se Kurtin e ka takuar pak ditë më parë dhe se ka vënë re se ai është shumë më i hapur se më parë. Ai deklaroi se në këtë takim temë ishte edhe Bashkimi i Komunave Serbe dhe garantimi i të drejtave të Kishës Ortodokse Serbe, duke nënvizuar se ajo duhet të jetë 100 për qind e garantuar për serbët. "Asociacioni i komunave është i rëndësishëm si urë për të ardhmen. Nuk është më një temë tabu. Dhe se ai ka mbështetjen tonë të plotë për të ecur përpara", tha Rama.
Vuçiç: Harmonizim dokumenteve identifikuese, do të mund të përshpejtojnë kalimet kufitare
Ndërsa presidenti serb Vuçiç nënvizoi në fjalën e tij se ka diskutuar me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, se si të hiqen të gjitha pengesat për të mundësuar një tregëti të lirë, si dhe qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve.
"Ne folëm për shumë çështje të rëndësishme për të bërë gjithçka gati përpara fillimit të sezonit veror.”- theksoi Vuçiç.
Ai shtoi se me Kovaçevskin dhe Ramën ka biseduar edhe për harmonizimin e dokumenteve identifikuese, të cilat do të mund të përshpejtojnë kalimet kufitare.
“Ne folëm për marrjen e kartave të reja të identifikimit. Të tre u pajtuam se do të mund të bëjmë përparim në këtë çështje në muajt e ardhshëm”, tha Vuçiç.
Vuçiç informoi se në shumë shpejt Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, do të hapin të gjitha pikat kufitare për një ditë dhe do t'i lënë njerëzit dhe mallrat të qarkullojnë lirshëm, për të treguar se kufijtë e hapur mund të funksionojnë.
Kovaçevski: Nisma Ballkani i Hapur është iniciativë ekonomike, po jep rezultate
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se panairi i verës në Verona është një nga panairet më të mëdha dhe më të rëndësishme ku ndahet vizioni i verës i Ballkanit të Hapur, në të njëjtat mënyra në të cilat bazohet tregtia e lirë e mallrave të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se vendet skandinave nuk kanë kufij dhe se Ballkani është rajoni i vetëm me kufij duke nënvizuar se “nuk ka marrëzi më të madhe se kjo, sepse dikur kemi qenë vende pa kufij”.
“Të dhënat e prezantuara nga presidenti Vuçiç se 70 për qind e vonesave të transportit ndodhin në kufi, janë të dhëna nga Banka Botërore. Ne nuk kemi nevojë për kufij”,- tha Kovaçevski.
Ai theksoi se iniciativa e Ballkanit të Hapur është organike, autentike dhe e bazuar në vullnetin e mirë për marrëdhënie të mira mes vendeve.
/rtsh.al/