RTSH 24 Live

Politikë

Rama: I hapa rrugën goditjeve në nivele të larta, fitojmë më 11 maj

17/02/2025

Rama: I hapa rrugën goditjeve në nivele të larta, fitojmë më 11 maj

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se falë qeverisjes së tij iu hap rruga goditjeve në nivele të larta. Në një reagim në rubrikën “Sy m’Sy” në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë ndërsa shprehu bindjen në fitoren në zgjedhjet e 11 majit, u shpreh se vetëm falë Partisë Socialiste u udhëhoq pavarësimi i drejtësisë.

Në këtë kuadër, Rama renditi disa prej goditjeve që i janë bërë disa ministrave, deputetëve e kryebashkiakëve socialistë në 3 mandatet qeverisëse të tij.

Ai thekson se PS mbetet e palëkundur në mbështetje të drejtësisë së re, e cila sipas tij duhet të punojë në pavarësi të plotë.

“Bindja ime sepse ky popull nuk mendon se unë duhet të japë dorëheqjen sepse udhëhoqa pavarësimin e drejtësisë dhe i hapa rrugën goditjeve në nivele të larta, gjë që s’kishte ndodhur kurrë që nga 1912-ta dhe deri kur me PS udhëhoqëm reformën në drejtësi.

Ne mbetemi të palëkundur në mbështetje të drejtësisë së re dhe drejtësia të bëjë punën e vetë në pavarësi të plotë”, tha ai.

Rama u ndal më tej edhe te arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, për të cilin tha se PS nuk bën avokatinë e asnjë individi, por kurrsesi askush s’duhet të merret peng në gjyq pa prova.

“Ne nuk bëjmë avokatinë e asnjë individi për rastin e vetë konkret, por ka ardhur koha të ngremë zërin për standardet demokratike të proceseve, sepse pavarësia e drejtësisë u arrit.

Për herë të parë në histori, drejtësia evropiane që duam, është drejtësi që nuk kthehet në shkelm ndaj standardeve demokratike, lirive të drejtave të çdo individi

Pavarësi, profesionalizëm e garanci kushtetuese e ligjore për këdo që gjykohet e hetohet. Por kurrsesi s’duhet të poshtërohet në pazar, të merret peng pa gjyq dhe të tërhiqet zvarrë në kanalet e llumit politik e mediat, me ushqim nga brenda burimeve të drejtësisë”, tha Rama.

/rtsh.al/