RTSH 24 Live

Politikë

‘Çështja Salianji’- PD, Boçi: Ai po mbahet në burg me urdhër politik

13 orë para

‘Çështja Salianji’- PD, Boçi: Ai po mbahet në burg me urdhër politik

Vendimi i Gjykatës së Lartë për të mos pranuar rekurset e paraqitura nga të gjykuarit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është komentuar të martën nga Partia Demokratike.

Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediat u shpreh se me këtë vendim Gjykata e Lartë vendosi të lejojë shtrembërimin e drejtësisë dhe përdorimin politik, duke lënë në burg ish-deputetin Ervin Salianji.

“Partia Demokratike shpreh keqardhje për pamundësinë e Gjykatës së Lartë për t’u ngritur në lartësinë e rolit të saj kushtetues dhe përdorimin e saj politik. Ne dënojmë përdorimin nga politika të drejtësisë, por edhe nënshtrimin apo kolaboracionizmin me të keqen të gjyqtarëve apo prokurorëve. Salianji është një prej tre të burgosurve politikë të opozitës, që mbahen peng nga partia-shtet, që kërkon përjetësimin narkoshtetit përmes mashës së drejtësisë”, u shpreh Boçi.

“Më 11 maj përgjigja do të jetë e qartë dhe plebishitare, si për urdhëruesit ashtu dhe shërbëtorët e kësaj pengmarrjeje politike me gjykatë”, tha Boçi.

Salianji po shlyen dënimin në burgun e Fierit që prej 27 shtatorit 2024. Ai është dënuar për kallëzim të rremë për dosjen e njohur me emrin “Babale”.

/rtsh.al/