Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE, duke theksuar se vendi ka bërë hapa të shpejtë dhe të sigurt.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ai theksoi se BE-ja është e gatshme të mbështesë më tej Shqipërinë, por kërkoi që të merren hapa të mëtejshëm për të avancuar procesin.
"Nuk ka më kohë për zvarritje dhe BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë edhe me Parlamentin për të shtyrë më tej punën. Parlamenti është angazhuar për të rritur transparencën, integritetin dhe aksesin e qytetarëve. Kuvendi luan rol më të përgjegjshëm për të promovuar debatin dhe konsensusin. Ashtu siç e ka thënë komisionerja Marta Kos, që do e thotë edhe gjatë vizitës së saj këtë fundjavë, ky proces është i rëndësishëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për llogaridhënie, por edhe faktorë të tjerë," deklaroi ambasadori Gonzato.
Nga ana tjetër, Kryetarja e Këshillit, Jorida Tabaku, ngriti shqetësime për pengesat politike që kanë bllokuar funksionimin e këtij Këshilli, duke akuzuar mazhorancën për dobësimin e institucioneve demokratik.
"Me shqetësim kam vënë re se disa nga iniciativat ligjore të qeverisë kanë shkuar kundër frymës së Bashkimit Europian. Ligji si ai i Agjencisë së Auditit, i zonave të mbrojtura, kontratat të cilat eliminojnë garën dhe shkelin marrëveshjen e stabilizim-asocimit, si ajo [Paketa] e Maleve, nuk janë në frymën e legjislacionit të BE-së," u shpreh znj. Tabaku.
Ndërda kryenegociatorja Majlinda Dhuka bëri rezymenë e punës për vitin 2024 në lidhje me integrimin, si ministre e Shtetit dhe kryenegociatore, duke theksuar se këto kohë mbahen edhe takime me rëndësi dhe samite për negociatat.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/