RTSH 24 Live

Politikë

Integrimi në BE - Komisionerja Marta Kos, agjendë intensive në Shqipëri

5 orë para

Integrimi në BE - Komisionerja Marta Kos, agjendë intensive në Shqipëri

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, do të mbërrijë në Shqipëri në një vizitë intensive dyditore, në përpjekje për të diskutuar mbi procesin e negociatave dhe çeljen e grup-kapitujve të tjerë të integrimit.

Të enjten në orën 9:30, komisionerja Kos do të pritet në selinë e qeverisë nga Kryeministri Edi Rama. Pas takimit dypalësh është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp në orën 10:30.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, komisionerja Kos do të takojë edhe kryetaren e Kuvendit, përfaqësues të opozitës, si dhe do të zhvillojë një vizitë në Elbasan, në tri sipërmarrje të financuara nga BE-ja.

Gjithashtu, komisionerja do t’u drejtohet studentëve të Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës dhe do të shkëmbejë ide mbi rolin e shoqërisë civile dhe angazhimin e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Diskutohet përparimi në reformat themelore dhe në drejtësi

Kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e znj. Kos në Shqipëri. Vizita do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore dhe në drejtësi.

Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme, në përputhje me natyrën e bazuar në merita të procesit.

Gazetare: Denada Shkodrani dhe Entela Komnino

/rtsh.al/