Teksa na ndajnë edhe 60 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me asambletë socialiste të Kavajës, Rrogozhinës e Vorës.
Kryeministri Rama ka deklaruar se zgjedhjet e 11 majit janë të parat pas 33 vitesh që kanë peshë gjeopolitike dhe e lidhin drejtpërdrejt fatin europian të Shqipërisë.
“Për çdo të deleguar e çdo kryetar organizate, për secilin pre jush që të mbajë parasysh rëndësinë e posaçme të këtyre zgjedhjeve.
Pas zgjedhjeve të ‘91-‘92 këto janë zgjedhjet e para që kanë peshë gjeopolitike dhe që lidhin drejtpërdrejtë fatin europiantë vendit tonë. Sot janë krijuar kushtet që ne të hyjmë realisht në BE si rrjedhojë e përputhjes së rrethanave tona të brendshme me ato të BE”, deklaroi Rama, ndërsa shtoi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj drejt integrimit europian gjatë qeverisjes së tij.
Kryeministri theksoi se me hyrjen në BE si anëtar me të drejta të plota, Shqipëria do mund të sigurojë çdo vit deri 1 miliard euro.
“Dhe nëse ne gjatë gjithë këtyre viteve nga Bashkimi Europian kemi marrë 630 milionë euro, duke u bërë anëtar do të marrim mbi 1 miliard çdo vit, ky është ndryshimi. 300 milionë çdo vit vetëm për bujqësinë, për fermerët, për agropërpunimin, për agrobiznesin, për agroturizmin dhe për gjithçka që ka të bëjë me bujqësinë. Tani e gjitha kjo mund të mos ndodhi nëse në 11 maj Shqipëria nuk voton fuqishëm Partinë Socialiste dhe nuk voton fuqishëm për të vazhduar një proces që nuk është një fjalë goje, po është një punë e përditshme, e përditshme, e përditshme, me detyra të pafundme”, shtoi ai.
/rtsh.al/