RTSH 24 Live

Politikë

Shoqëria civile: Përfshirja e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, moment historik

5 orë para

Shoqëria civile: Përfshirja e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, moment historik

Qëndresa Qytetare, Instituti i Studimeve Politike dhe Komiteti i Helsinkit kanë vlerësuar si moment historik përfshirjen e diasporës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Shoqëria civile u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që ta ushtrojnë votën e tyre më 11 maj.

Përfaqësuesit e tri organizatave iu drejtuan gjithashtu partive politike, kandidatëve, KQZ-së dhe organeve ligjzbatuese që të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe vullnet real politik e institucional për të evituar aplikimin e dy standardeve në zgjedhje, një brenda vendit dhe një në diasporë.

“Vota e diasporës. Pas mbylljes së afatit për herë të parë për regjistrim të rreth mbi 240 mijë shtetasve konsiderohet një shans historik për përfshirjen e diasporës për votim. Shoqëria civile mirëpret dhe konsideron si moment historik përfshirjen e diasporës në votim.

Shoqëria civile i fton të regjistruarit që ta ushtrojnë votën e tyre duke ndjekur të gjithë procesin deri ditën e votimit.

Gjithashtu ne i drejtohemi partive politike, kandidatëve, KQZ, organeve ligjzbatuese që të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe vullnet real politik dhe institucional për të evituar aplikimin e dy standarteve në zgjedhje, një brenda vendit dhe një në diasporë.

Integriteti i procesit zgjedhor të diasporës kërkon siguri të plotë për fshehtësinë e votës, transparencë financiare, monitorim institucional dhe garanci për parandalim të çdo formë të shpërdorimit të aseteve publike për krimin zgjedhor”, deklaruan përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare, Institutit të Studimeve Politike dhe Komitetit të Helsinkit.

Integriteti i kandidatëve dhe i zgjedhjeve kanë qenë dy pika të tjera në të cilat u ndal shoqëria civile, duke kërkuar nga partitë politike dhe kandidatët, që të prezantojnë programet e tyre elektorale dhe të fokusohen në diskutime mbi rrugëzgjidhje dhe alternativat më të mira për vendin dhe qytetarët.

“Legjislacioni në fuqi ka përcaktuar kritere parandaluese dhe verifikuese për kandidatët me rekorde negative, si dhe iu krijon mundësi subjekteve që të verifikojnë kandidatët e tyre paraprakisht në Prokurorinë e Përgjithshme apo në Autoritetin e Dosjeve lidhur me të dhënat e tyre për dekriminalizimin dhe me të shkuarën.

Me keqardhje konstatojmë se asnjë nga partitë politike nuk e shfrytëzoi këtë të drejtë ligjore dhe mekanizëm ligjor.

Përfshirja në listat e mbyllura të disa kandidatëve që janë në proces hetimor ose masë sigurie nga sistemi ynë gjyqësor është zhvillim shqetësues dhe i kundërt me pritshmëritë publike dhe kandidatë të pastër dhe me integritet.

Në këtë fazë ku ndodhemi apelojmë partitë politike që të respektojnë angazhimin solemn të shprehur nga kryetarët e tyre në  deklaratën e regjistrimit në KQZ sidomos se do refuzojnë të marrin pjesë në praktikat e blerjes së votës, presionit, kërcënimit dhe të marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundraligjshme, veçanërisht ato që vijnë nga aktivitete kriminale.

Partitë politike dhe kandidatët të prezantojnë programet e tyre elektorale  dhe të fokusohen në diskutime mbi rrugëzgjidhje dhe alternativat më të mira për vendin dhe qytetarët”, deklaruan ata.

/rtsh.al/