RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Godinat e administratës publike të vjetruara. Ndërtojmë kompleks të ri qeveritar   

17/09/2024

Rama: Godinat e administratës publike të vjetruara. Ndërtojmë kompleks të ri qeveritar   

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se në vend do të ndërtohet një kompleks i madh qeveritar, i cili do të shërbejë për akomodimin e një sërë institucionesh.

Duke folur në konkursin ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze do të paraqesin përpara jurisë projekt-idetë e tyre për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike, Rama theksoi se godinat publike “janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre”.

Jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë arkitekturore, por paraqesin probleme të vazhdueshme mirëmbajtje duke qenë se janë godina të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja dhe që nuk përshtaten fare me ato mjedise. Arkitektët janë thirrur të na ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë që të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh. Edhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione, që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se i gjithë procesi do të bëhet në bashkëpunim me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Shteti nuk do t’i dorëzojë këto godina te privati, shtoi ai, por do të ketë përfaqësimin e vet për të nxjerrë të ardhura, që do të shkojnë në buxhetin e shtetit.  

Ky është një moment i rëndësishëm që më në fund kemi një agjenci e cila është krijuar me ligj disa vite më parë, Korporatën Shqiptare të Investimeve, në bashkëpunim me dy agjenci të mirënjohura në Evropë. Ajo që do të ndodhë me Korporatën Shqiptare të Investimeve është që shteti nuk do të dorëzojë më prona ashtu siç i ka dorëzuar në të shkuarën te privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vet përmes AIC-së për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike të mira publike, natyrisht për të nxjerrë përfitime financiare që do të shërbejnë për investime të mëtejshme”, tha më tej Rama.

Ndërkaq, studiot pjesëmarrëse në konkurs që do të projektojnë godinat për administratën publike janë Andrea Caputo (Itali) dhe So-il (SHBA), Coldefy (Francë), Embt Architects (Spanjë), Snohetta (Norvegji), Zaha Hadid Architects (Britani e Madhe), Archi-Tectonics (SHBA), Architecture Studio (Francë), Baukuh (Itali), Cook Research (Britani e Madhe), Mad Office (SHBA).

/rtsh.al/