Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, inspektuan punimet në kantierin e Galerisë së Arteve e cila po zgjerohet me hapësira të reja. Ministri Gonxhja tha se deri më tani është kryer rreth 40% e punimeve.
“Jemi në faza të avancuara punimesh. Është kryer rreth 40% e punimeve, por është pjesa më komplekse që është kryer dhe pjesa që në preventiv ka zënë një vend më të vogël. Pjesa që vjen tani, montohet më shpejt dhe zë një vend më të madh në preventiv. Jemi në një moment të kënaqshëm të ecurisë së punimeve. Po punohet në të dyja objektet, në objektin e vjetër dhe objektin e ri. Kanë mbaruar gjithë përforcimet. Godina ka pasur probleme të rënda strukturore, ndërtim i viteve ‘70, por me të vërtetë ndërtuar shumë pa cilësi. Shumë punë për riforcimin", u shpreh ai.
Gjatë inspektimit, duke diskutuar për afatet e mbarimit të kësaj vepre moderne, kryeministri Rama u interesua edhe për detajet teknike të projektit.
“Objekti i ri u shtua duke respektuar objektin e vjetër dhe duke mbajtur këtë galerinë e xhamit. Vizita fillon që nga objekti ekzistues dhe pastaj nëpërmjet urave kalojnë paralel sipas kateve drejt objektit tjetër, ku ka hapësira të tjera të shtuara. Dallohen disa tipologji ndërhyrjesh këtu, duke filluar që nga përforcimi dhe pastaj gjithë instalimet me radhë. Do rikthejmë skylight-et të cilat me kalimin e kohës kanë qenë të improvizuara dhe të mbyllura”, shpjegoi përfaqësuesi i studios projektuese.
Kryeministri Rama e konsideron projektin si “’kombinat’ të jetës artistike të kryeqytetit të Shqipërisë 2030”. Sipas kreut të qeverisë, zgjerimi i hapësirës kulturore do t’i shërbejë edhe turizmit dhe ekonomisë.
Hapësirat e reja do t'u dedikohen ekspozitave, ruajtjes dhe dixhitalizimit të veprave, si dhe do të ketë salla të veçanta për skulpturë, pikturë, vizatime dhe qeramikë.
/rtsh.al/