Qeveria shqiptare do të çlirojë pas disa ditëve një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e fundvitit për pensionistët.
Lajmi është bërë me dije nga Kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se shpërblimi do të variojë nga 100 në 150 euro në varësi të vlerës së pensionit që përfiton aktualisht një individ.
“Dua t’u përcjell pensionistëve lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të çlirojë një fond prej afro 100 mln eurosh për bonusin e fund vitit.
Do ndahet në dy shkallë: të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, do marrin 3-fishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh.
Pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 100 euro.
Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për tu dhënë më pak atyre që kanë pensionin më të lartë, por për t'u dhënë më shumë atyre që kanë pension më të ulët”, deklaroi Rama në nisje të fjalës së tij në seancën e sotme plenare ku temë diskutimi është projektligji për buxhetin e vitit 2025.
Kryeministri Rama bëri me dije dhe një tjetër hap që qeveria do të marrë në ndihmë të pensionistëve. Ai deklaroi se në ditët e para të dhjetorit do të krijohet pranë Bankës së Shqipërisë fondi i një bonusi të dytë për pensionistët, që është bonusi i pranverës.
“Paralelisht me shpërndarjen e bonusit të fundvitit, në ditët para dhjetorit ne do të krijojmë pranë BSH fondin e një bonusi të dytë. Ky bonus i dytë do jetë bonusi I pranverës që do ndikojë më tej në rritjen e të ardhurve vjetore të pensionistëve dhe do jepet në hyrje të çdo pranvere. Me këto dy bonuse vjetore plus indeksim, pensionistët do mund të prekin kuptimin e shifrave të rritjes shembullore të ekonomisë.
Ne do kemi gati vitin e ardhshëm planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike, duke sjell të ardhura dhe duke garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes së pensioneve”, bëri me dije Rama.
/rtsh.al/