RTSH 24 Live

Ekonomi

Deputeti Sula me preshë e lakra para Kuvendit: Qeveria të kthejë kokën nga fshati

3 orë para

Deputeti Sula me preshë e lakra para Kuvendit: Qeveria të kthejë kokën nga fshati

Deputeti demokrat Dashnor Sula u paraqit të hënën (18 nëntor) në parlament me një lopatë e qese me perime në duar për të denoncuar mbështetjen e pakët që qeveria socialiste po i jep bujqësisë në vend.

Teksa Kuvendi përgatitej për të mbajtur seancën maratonë për buxhetin e vitit 2025, z. Sula u shfaq para gazetarëve me qese me preshë, patate e lakra.

Ai tha se po përcjell zërin e bashkëqytetarëve të tij të Elbasanit, por edhe gjithë Shqipërisë, të cilët po kufizohen në treg dhe mundësi nga politikat e gabuara. 

"Dita e sotme është dita e gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në fshat, që rropaten nga mëngjesi deri në darkë dhe përballen me konkurrencë të pandershme nga Serbia apo vendet e rajonit, të cilët sjellin produkte këtu.

Unë kam ardhur sot për të tërhequr vëmendjen dhe për të përcjellë zërin e tyre, që nuk kanë mundësi të jenë këtu në parlament dhe për t'u kujtuar gjithë këtyre deputetëve të mazhorancës, të cilët e kanë harruar fshatin, ta kthejnë kokën nga fshati. Është e turpshme që 40 për qind e popullatës jeton në fshat dhe këta në buxhetin e vitit 2025 i kanë vendosur vetëm 40 milionë euro në një kohë që buxheti është 8,2 miliardë euro. Janë para që do shkojnë për xhepat e oligarkëve.

Unë kam përgatitur një material të hollësishëm përgjatë viteve 2021, 2022, 2023 për bujqësinë dhe blegtorinë. Do habiteni kur të shikoni se siç është bërë shpopullimi i fshatrave, i qyteteve të vogla apo i Shqipërisë, është bërë edhe shpopullimi i bagëtive, lopëve, deleve, dhive, pulave... një shfarosje. Dhe kjo është e tmerrshme," u shpreh z. Sula.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar që buxheti i vitit 2025 të arrijë në 15 miliardë lekë, me një rritje prej afërsisht 4% krahasuar me buxhetin e vitit 2024. Duke iu referuar projektbuxhetit, ministrja Denaj ka dekluar tha se peshën më të madhe në buxhet e zë zëri i investimeve me 20%, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, si dhe mbrojtja nga përmbytjet. 

/rtsh.al/