RTSH 24 Live

Ekonomi

AAC dhe Aeroporti i Mynihut, diskutime për planin e tranzicionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

3 orë para

AAC dhe Aeroporti i Mynihut, diskutime për planin e tranzicionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

Një delegacion i Aeroportit Civil Shqiptar (AAC) po zhvillon takime me përfaqësues të Aeroportit të Mynihut, si ofrues i shërbimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

AAC bën të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua jo vetëm mbi çështjet e certifikimit, që tashmë ka filluar, por edhe planin e tranzicionit, rekrutimin dhe trajnimin e stafit, si dhe emërimiet në pozicionet kyçe, sikurse janë menaxheri i Përputhshmërisë, menaxheri i Sigurisë në Operim, menaxheri i Operimeve dhe menaxheri i Mirëmbajtjes.

AAC deklaroi se do të sigurojë certifikimin në përputhje me standardet, duke adresuar sigurinë në operim dhe kapacitetet e ofruara në momentin e lëshimit të certifikatës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë i kategorisë 4E, me një pistë me gjatësi prej 3.2 kilometrash duke mundësuar edhe fluturimet transoqeanike.

Aeroporti i Vlorës që pritet të hapet vitin e ardhshëm, do të jetë edhe aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor. Porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend. 


/ rtsh.al /