Një delegacion i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kryesuar nga Christoph Denk, Drejtor i Politikave Strategjike, zhvilloi një vizitë pune në Bankën e Shqipërisë ku u prit nga Guvernatori Sejko.
Ndër vite BERZH-i ka dhënë një kontributin të madh në ecurinë e ekonomisë shqiptare kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar si dhe në përafrimin e kuadrit rregullator e mbikëqyrës me standardet e Bashkimit Evropian.
Ndër të tjera Guvernatori në prezantimin e tij i njohu të pranishmit me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për digjitalizimin e sistemit të pagesave dhe aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në zonën SEPA, si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin drejt BE-së.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Në veçanti, ata theksuan rolin që politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë si dhe regjimi i lirë i kursit të këmbimit, kanë pasur në ruajtjen e stabilitetit dhe në përballimin e goditjeve, duke i mundësuar Shqipërisë të ketë një ndër performancat më të mira ekonomike në rajon.
Përfaqësuesit e BERZH-it inkurajuan aktorët vendorë që, duke u nisur nga perspektiva konkrete e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të fokusohen në përshpejtimin e agjendës të reformave strukturore në vend.
/RTSH/