RTSH 24 Live

Ekonomi

Krijohet kompania Shqiptaro-Arabe për letrat me vlerë

13/11/2024

Krijohet kompania Shqiptaro-Arabe për letrat me vlerë

Qeveria shqiptare dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po krijojnë një kompani të përbashkët publike të shtypshkrimit të letrave me vlerë.

Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Baku, ku theksoi se ky projekt i rëndësishëm tashmë po hyn në fazën e zbatimit.

Aktualisht Shtypshkronja e Letrave me Vlerë është institucion i vetëm i shtetit shqiptar i specializuar në prodhimin e dokumenteve zyrtare me vlerë monetare dhe ligjore. Aktivitetet kryesore të saj përfshijnë shtypjen e biletave, faturave, pullave fiskale, biletave të lotarisë dhe formularëve me numra serialë, të cilët njihen sipas legjislacionit shqiptar si letra me vlerë. Këto materiale përdoren nga institucione të ndryshme dhe subjekte tregtare brenda Republikës së Shqipërisë.

Institucioni operon nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave dhe ka një përvojë prej 30 vitesh në këtë fushë, duke e filluar veprimtarinë e tij si ish-Tipografia Ushtarake. Objekti i veprimtarisë së Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë përfshin prodhimin e një game të gjerë dokumentesh të personalizuara, përfshirë dokumentet me numër serial që janë të nevojshme për transaksione të ndryshme ekonomike dhe administrative. Tashmë duket se ky institucion do të funksionojë në partneritet me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Referuar të dhënave nga ky institucion, të ardhurat kanë rezultuar vazhdimisht të larta, me një themel të fortë financiar të mbështetur nga kontratat e vazhdueshme dhe investimet teknologjike. Një analizë e detajuar financiare tregon një trajektore në rritjeje sa i takon të ardhurave dhe fitimit të kompanisë.  Për vitin 2023, kjo kompani regjistron të ardhura në vlerën e 1.5 milionë eurove dhe fitim bruto në rreth 311 mijë euro.  Ndërsa fitimi marzhinal llogaritet në 20 %.

Aktualisht, prodhimi, shpërndarja dhe monitorimi i pullave fiskale të akcizës, bëhet nga shoqëria “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, sipas një kontrate koncesionare e cila përfundon me 31 dhjetor 2024. Dhe nga 1 janari 2025 shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë” do të  autorizohet që të bëjë prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, konform ligjit për akcizat.


/ rtsh.al /