RTSH 24 Live

Ekonomi

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Duhet verifikim i investimeve/ Gonxhja: Klima e biznesit është përmirësuar

20/11/2024

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Duhet verifikim i investimeve/ Gonxhja: Klima e biznesit është përmirësuar

Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon krijimin e kushteve të favorshme për thithjen e kompanive amerikanë që janë të interesuara të investojnë në vendin tonë.

Gjatë mbledhjes së Përgjithshme të Asamblesë, presidenti i Dhomës u ndal te nevoja e bashkëpunimit me qeverinë me qëllim adresimin e duhur të problematikave të biznesit dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

E ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn mori pjesë sot në një aktivitet të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Në fjalën e saj në këtë aktivitet, VanHorn tha se “jemi shumë mbështetës për angazhimin në politika jetike për përparimin dhe shkojnë në thelb të prioriteteve të SHBA, që është krijimi i kushteve të barabarta të lojës për të gjitha bizneset”.

“Kjo është diçka që e dëgjoj nga të gjitha kompanitë amerikane të interesuara të vijnë këtu dhe nga ju e amerikanët që vini këtu për turizëm apo të tillë që duan të vijnë për kompanitë e tyre”, tha VanHorn.

Ambasadorja VanHorn u shpreh se “sot kam pasur takimet me institucionet e drejtësisë. Duhet të jeni shumë krenarë për integritetin dhe pavarësinë që këto institucione të drejtësisë janë duke vepruar”.

Më tej VanHorn tha se “premtoj se do të punoj krah për krah me ju për të promovuar një klimë të mirë biznesi për kompanitë shqiptare dhe amerikane. Ndërsa shikojmë drejt krijimit të kësaj klime të mirë biznesi, duhet të kemi parasysh disa prej rreziqeve të investimeve potencialisht problematike. Kjo është arsye pse ambasada mbështet fuqimisht legjislacionin e shqyrtimit të investimeve, të cilat janë në përputhje me udhëzimet e BE-së”.

“Ne besojmë që është thelbësore të shmangen investimet që nuk janë në përputhje me prioritetet shqiptare ose më keq mund të paraqesin rreziqet për sigurinë kombëtare gjatë rrugës. Shpresoj që ju si shtylla të komunitetit të biznesit do të nxisni Shqipërinë t’i bashkohet  vendeve të BE-së që kanë miratuar legjislacione për shqyrtim ose verifikimin e investimeve”, theksoi VanHorn.

Engarkuara me punë në Ambasadën Amerikane Nancy VanHorn u ndal te disa nga reformat konkrete që duhet të ndërmerren, duke theksuar nevojën për verifikimin e investimeve që kryhen në Shqipëri.

I pranishëm në mbledhjen e asamblesë ishte edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja i cili u ndal te reformat e ndërmarra në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit.

"Duhet të jemi vendi më mikpritës i sipërmarrjes së huaj dhe asaj amerikane në veçanti. Për këtë arsye jemi duke çuar përpara me vendosmëri shumë reforma, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit", tha Gonxhja. 

Gjatë fjalës së tij, Gonxhja tha se qeveria po synon uljen e korrupsionit në tenderë dhe rritjen e konkurrencës mes operatorëve ekonomikë.

/rtsh.al/