RTSH 24 Live

Ekonomi

Çmimi i lartë i naftës, ekspertët: Ndikojnë taksat dhe monopolizimi i tregut

13 orë para

Çmimi i lartë i naftës, ekspertët: Ndikojnë taksat dhe monopolizimi i tregut

Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të shtrenjtë të karburanteve në botë. Sipas renditjes së Global Petrol Price, ne jemi vendi i 11 në botë për çmimin më të lartë të naftës, me 1.93 dollarë për litër. Me këtë nivel çmimi, nafta dhe benzina shiten te ne shumë më shtrenjtë se në të gjitha vendet e tjera të rajonit. 

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTHS, ekspertët e ekonomisë Klodian Muça dhe Enriko Çeko shpjeguan arsyet se pse çmimi i naftës në Shqipëri është kaq i lartë.

Eksperti i ekonomisë, Klodian Muça, ka shpjeguar se çmimi i karburantit në Shqipëri është i ndikuar nga një numër taksash që përfshihen në çmimin final të naftës. Sipas Muçës, brenda çmimit të karburantit janë të përfshira 7 taksa të ndryshme, duke e transformuar tregun e karburanteve në një "mini-institucion fiskal".

Përveç kësaj, Muça theksoi se përqendrimi i tregut të naftës në duar të pak operatorëve është një tjetër faktor që kontribuon në çmimet e larta. Ky dominim i tregut, sipas tij, krijon mundësinë për mbajtjen e marzheve të larta të fitimit, që shtojnë çmimin për konsumatorët.

“Brenda çmimit të karburantit ka 7 lloje taksash, që nënkupton që ata që shesin karburante janë kthyer në një farë mënyre në disa mini-institucione fiskale. Atë që bëjnë Tatimet në nivel makro, karburantet e bëjnë në nivel mikro, vjelin në një farë mënyre taksa të ndryshme. Cilat janë këto? E para është akciza 37 lekë, taksa e qarkullimit 27 lekë, 3 lekë taksa karboni ndotja e ambientit, 7-10 lekë kemi taksën e rilicensimit, 1.4 lekë kemi taksën e skanimit dhe kemi taksën e markimi që po diskutohet që të mos vijojë më. Në fund kemi TVSH që shkon në 30 lekë në total. Çmimi i naftës vjen si rezultat i taksave. Aspekti i dytë është përqendrimi në treg i tregtimit me shumicë dhe pakicë të naftës. Marzhet në vendin tonë të nafta janë më të larta se te vendet e tjera. Një apo dy operatorë në treg kontrollojnë 70 % të tregut si në atë me shumicë dhe në atë në pakicë dhe kjo bën që të mbajnë marzhet e fitimit të larta. Këto janë dy aspekte kryesore që bëjnë që çmimet e naftës të jenë të larta në Shqipëri. Ula e çmimit, tkurrja e barrës fiskale te çmimi i naftës, e  dyta është autorit i konkurrencës që të kontrollojë nëse ka një çmimi të paracaktuar në treg. Këto kompani që kontrollojnë tregun vendosim çmime preferenciale që të kontrollojnë tregun, pra vendosin marzhet e tyre të fitimit”, tha Muça.

Nga ana tjetër eksperti i ekonomisë, Enriko Çeko tha se heqja e akcizës nuk do të çonte në uljen e çmimit të naftës, por shtoi se kjo taksë është e rëndësishme për shtetin, pasi sjell miliona në buxhetin e shtetit.

Megjithatë, ai paralajmëroi se heqja e akcizës nuk do të çonte në uljen e çmimit të naftës, pasi tregtarët do të justifikonin çmimet më të larta me faktin se kanë blerë naftën më shtrenjtë.

“Kemi një shtim të konsumit të karburantit për disa arse: ne nuk kemi transport publik, përveç Tiranës që ka disa, por në qytetet e tjera thuajse nuk ka aspak. Qytetarët kanë makinë në shtëpi për domosdoshmëri, jo për luks. Mungon transporti cilësor interurban dhe shqiptarët janë të detyruar të përdorin makinën e vogël. Kjo nuk është një zgjedhje që kemi një përdorim efecient të karburantit. Flota e automjeteve është e vjetërua në moshën 15-20 vjet, kur rritet kërkesë rritet çmimi, pastaj rritet sasia e naftës. Akciza është e rëndësishme për shtetin, pasi i sjellë buxhetit miliona në muaj. Heqja e akzicës ul çmimet e naftës, a do e ulin tregtarët e naftës në treg? Jo se do thonë se ju ulët akcizën por ne e kemi blerë naftën më shtrenjtë. Gjithashtu kemi një autorit konkurrence që nuk i kontrollon dot se nuk ka fuqi, jo se nuk kanë dëshirë’, u shpreh Çeko.

/rtsh.al/