Ekspertja Teuta Nunaj ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se bonusi për pensionistët është vullnet politik.
Sipas saj, kjo është vendimmarrje politike pasi, “një qeveri tjetër nuk do, nuk e jep”.
“Nëse flasim për bonusin do të thotë flasim për një vullnet politik, një vendimmarrje politike e cila nuk është një detyrim ligjor e cila do të thotë që qeveria në vitin 2023 vendosi për një bonus 5 mijë lekë, në vitin 2024, vendosi për një bonus 15 mijë. Mendohet që mund të ruhet ky nivel bonusi por pas një viti nuk e dimë se si do ta kemi shëndetin financave publike. Është diçka që nëse qeveria do ta japë, nëse nuk dëshiron nuk e jep, pra flitet edhe nga mundësitë financiare, e dyta për sa i përket rritjes”, tha Nunaj.
Ajo vuri në dukje gjithashtu, se qeveria nuk mund ta përfshinte bonusin e fundvitit si pjesë e rritjes së pensioneve.
“Gjykoj që qeveria nuk mund ta bënte rritje vlerën e caktuar për bonusin e fundvitit, nuk mund ta kalonte në një rritje pensioni, sepse kjo rritje pensioni do të thotë që ky 100 mln euro që do të shpenzohet tani do të duhen edhe për vite të tjera”, u shpreh Nunaj.
/rtsh.al/