Analisti Aleksandër Çipa ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se buxheti i vitit 2025 nuk është social dhe se rrit varfërinë.
“Ky nuk është një buxhet social dhe këtë duhet ta themi, rrit varfërinë te shtresat e margjinalizuara. Ky buxhet ka prioritet infrastrukturën, projektet e mëdha infrastrukturore. Ne na është premtuar gjithmonë që investimet në infrastrukturën e madhe janë me leverdi, por nuk kanë rezultuar kështu. Këtë nuk e them unë por e thonë ekspertët që e njohin mirë qarkullimin e mallrave. Edhe për turizmin ishte parashikuar se do të ndodhte shumë më tepër nga pikëpamja e të ardhurave financiare, por nuk rezulton kështu”, është shprehur Çipa.
Ai vuri në duke se harkun kohor të 4 viteve të fundit ka ndodhur procesi i emigrimit që sipas tij, ka larguar kategorinë aktive për punë dhe ka mbetur në vend kategoria e pensionistëve.
“E dyta, në harkun kohor të 4 viteve që lamë pas procesi i emigrimit të popullsisë aktive dhe me energji për punë ka qenë i konsiderueshëm. Dhe kush ka mbetur këtu? Kanë mbetur 2 kategori që nga pikëpamja e kontributit social nuk janë kapitale, është shtuar numri i pensionistëve dhe kategorive të tjera, si fëmijë, por ata nuk sjellin të ardhurave, janë konsumatorë”, tha më tej Çipa.
/rtsh.al/