RTSH 24 Live

Ekonomi

Projekt-buxheti 2025, Denaj: Subvencione dhe formalizim të ekonomisë bujqësore sipas BE-së

13/11/2024

Projekt-buxheti 2025, Denaj: Subvencione dhe formalizim të ekonomisë bujqësore sipas BE-së

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj prezantoi para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave projektbuxhetin e vitit 2025 për sektorin e bujqësisë ku theksoi se zhvillimi ekonomik në sektorin e bujqësisë është tashmë një fakt dhe trend i pakthyeshëm, gjë që dëshmohet nga faktet dhe shifrat, si rritja e sipërfaqes së serave me 70% më shumë; rritja e eksporteve me 2,6 herë më shumë; dyfishimi i sipërfaqes ujitëse të rehabilituar.

Duke iu referuar projektbuxhetit të vitit 2025, Denaj tha se peshën më të madhe në buxhet e zë zëri i investimeve me 20%, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, si dhe mbrojtja nga përmbytjet.

Ky zë është rritur me 18% nga viti në vit, edhe pse mbetet ende një nevojë e domosdoshme për fokus në investime për shkak të kushteve klimatike dhe terrenit shqiptar”, u shpreh Denaj.  

Sipas Denajt, efektshmëria e skemës kombëtare ndër vite fokusin kryesor do e ketë te “bashkimi i operatorëve”.

Problemi i hasur në të gjitha tryezat dhe protestat e fermerëve përgjatë këtij viti ka orientuar nevojën për forcën juridike të transaksionit nëpërmjet asaj që quhet kontratë. Kemi menduar të shkojmë drejt një organizimi edhe më të gjerë se kontrata dypalëshe, në orientim të ndërthurjes së bashkimit të operatorëve si në nivel horizontal – fermerët, ashtu edhe në atë vertikal – grumbulluesit, eksportuesit, hotelierët, që ndryshe quhet ‘Contract Farming’” tha Denaj, duke shtuar se jemi në pritje të një propozimi juridik dhe të ndërthurjes së kësaj skeme me skemën e subvencioneve nga FAO.

“Brenda vitit, të dy elementët do të jenë pjesë e analizës për skemën e re, duke synuar që bashkimi i operatorëve, formalizimi i transaksioneve dhe siguria ushqimore të jenë tre kriteret bazë që synon skema, ku përfshirja e fermerëve dhe sektorëve bujqësorë të vijë natyrshëm në funksion të tyre,” u shpreh Denaj.

/rtsh.al/