Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar me tone të ashpra pas deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit.
Bardhi e konsideroi qesharave vendimin e qeverisë për bonusin e fundivitit, pasi sipas tij, Kryeministri Rama po e përdor për zgjedhjet e 2025-ës.
Sipas tij, bonusi do duhej të shpërndahej çdo vit, por kreu i qeverisë e shpërndan vetëm një herë në katër vite, para zgjedhjeve parlamentare.
“Është buxheti i këtyre, jo i shqiptarëve. E vërteta është që ne kemi mbetur sikurse ka qenë në buxhetin e tij të parë. Këtu nuk foli ç’parashikon buxheti i ardhshëm për pensionistët, sepse buxheti i ardhshëm ka zero lekë rritje pensionesh. Madje nuk guxoi të përmendte fjalën rritje të pensioneve,. Na foli sa herë ka zgjedhje, ndan më vete një fond të caktuar nga buxheti i shtetit në tentativë për të blerë votën e pensionistëve. Kujtohet për ta një herë në 4 vite. atë që bën për qytetarët në nevojë, që ua jep nga paratë e korrupsionit, me zarfin 50-100 mijë lekë për votë, me pensionistët mendon se do i mashtrojë duke i dhënë atë që e quan bonusi i fundvitit.
As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj buxheti i 2025-ës nuk parashikon bonus për 2025-ën. E ka dhënë në 2020-ën, po e jep në 2024 për efekt të zgjedhjeve, e ka dhënë në 2026 për efekt zgjedhjesh po ashtu.
Mendon se me këtë politikë do gënjejë pensionistët. Ai duhej të thoshte sa është fondi i parashikuar për 2025 për rritjen e pensioneve. 183 euro është pensioni mesatar, në Malin e Zi 450”, u shpreh Bardhi.
Deputeti demokrat u bëri thirrje pensionistëve që të arsyetojnë, pasi sipas tij, kryeministri Rama ka parashikuar zero lekë në fondin e parashikuar për 2025-ën për rritjen e pensioneve.
“Absolutisht s’po i bën nder pensionistët. Ato janë lekët e tyre që duhej t’i merrnin çdo vit, por ky ja jep një herë në 4 vite. Pensionistët presin të kenë pension mesatar sa në rajon.
Ftoj qytetarët të arsyetojnë se ç’duhet bërë me një kryeministër që në fund të mandatin e tretë nuk u thotë pensionistëve se do u rrisë pensionin”, përfundoi ai.
/rtsh.al/