Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me projektbuxhetin e vitit 2025, që po diskutohet në seancën e sotme (18 nëntor) plenare.
Në fjalën e tij, që u shoqërua vazhdimisht me kundërshtime nga opozita, Rama tha se, sipas tij, shifrat flasin qartë dhe se prej këtyre arritjeve, Shqipëria është më afër anëtarësimit në BE.
Rama u ndal te shtresat në nevojë, teksa u shpreh se ndihma ndaj tyre në vitin 2025 është 240 mld. Po ashtu, Rama preku edhe bujqësinë, ku tha se investimet janë 5-fishuar.
“Për shtresat në nevojë, nga 122 mld lekë për mbrojtjen sociale kur ne nisëm rrugën tonë, në vitin 2025 kemi 240 mld. Shifrat flasim qartë për këdo që do të dëgjojë dhe Shqipëria sot ka dalë mbi ujin e zhytur brenda shumë dekadash dhe sot është shumë afër ëndrrës së motshme europiane pikërisht prej shifrave. Vetëm nga industria e turizmit shqiptarët kanë filluar të përfitojnë të ardhura që deri dje dukeshin të pamundura. Nëse ka një pikë të dytë pas asaj të pensioneve ku mençuria më e madhe e këtyre është ta qepin gojën, është bujqësia, pa i llogaritur fare fondet europiane, thithja e të cilave ishte thuajse zero, me të cilat janë financuar mbi 500 projekte në të gjithë territorin e Shqipërisë. 146 mln euro me bujqësinë krahasuar me 35 mln euro kur ishin këta, 5-fishi.
Asgjë që unë thash është për të thënë që unë jam i kënaqur. Nuk ka vend për kënaqësi, por ka shumë vend për besim. Shqipëria që ne duam po bëhet. Ne po e ngjisim Shqipërinë aty ku gjendet oborri i familjes së bashkuar europiane. Buxheti iri është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse për Shqipërinë, pro edhe dritarja prej ku shihet qartë rruga drejt destinacionit historik dhe për këtë destinancion historik, shqiptarët pranverën e ardhshme do të japin me vendimin e tyre një gjykim që do të jetë më i miri historik për PS dhe më i drejti historik për këto mbeturina të një kohe që nuk kthehet më kurrë”, tha Rama.
/rtsh.al/