RTSH 24 Live

Aktualitet

Qëlluan me armë qytetarin pas kontrollit, në kërkim efektivi i “Shqiponjave”. Kolegët e tij prishën provat

4 orë para

Qëlluan me armë qytetarin pas kontrollit, në kërkim efektivi i “Shqiponjave”. Kolegët e tij prishën provat

Një efektiv i forcave “Shqiponja” është shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të qytetarit, të cilin e kishin ndaluar për kontroll. Pas kontrollit qytetari ishte larguar me shpejtësi duke thënë se “kishte fëmijën në spital”, por efektivi e ka qëlluar nga pas mjetin.

Ngjarja u zbulua pas denoncimit të vetë qytetarit në Prokurorinë e Tiranës. Më 8 mars 2024, tre efektivët e forcave “Shqiponja” po shërbenin në aksin Tiranë–Fushë Krujë dhe kanë ndaluar për kontroll një qytetar. Pas verifikimit të dokumenteve, sipas dëshmisë së qytetarit në prokurori, ai ishte larguar pasi kishte urgjencë, por më pas efektivi Rezart B. ka qëlluar në drejtim të mjetit 2 herë, ku plumbat e kanë kapur në pjesën e pasme.

AMP sqaron se efektivët kanë tejkaluar kompetencat dhe se Rezart B. së bashku me dy kolegët e tij Elton D. dhe Florian Z. kanë fshehur ngjarjen, prishur provat dhe hequr gëzhojat nga vendi i ngjarjes.

Gjatë deklarimit në prokurori 2 efektivët  Elton D. dhe Florian Z. kanë pretenduar se kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi sipas tyre qytetari ka tentuar t'i përplas me makinë, por AMP dhe Prokuroria Tiranë kanë vërtetuar se kanë tejkaluar kompetencat e tyre.  Efektivi Rezart B., i cili qëlloi me armën e shërbimit në drejtim të qytetarit është ende në arrati në akuzë për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, falsifikim dokumentesh dhe kallëzim të rremë.

Edhe nga hetimet e AMP-së u zbulua se këta punonjës policie “kanë tejkaluar kushtet e mbrojtjes së nevojshme dhe kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet”.

Masat ndaj efektivëve të vendosura nga Prokuroria Tiranë

-Inspektor Rezart B., 34 vjeç, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Kallëzim i rremë”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij;

 -Inspektor Elton D., 46 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

-Inspektor Florian Z., 37 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

/rtsh.al/