RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjiganti i promovimit të turizmit “ITAKA” sjell mbi 200 agjentë turistikë në Durrës

4 orë para

Gjiganti i promovimit të turizmit “ITAKA” sjell mbi 200 agjentë turistikë në Durrës

Plazhet shqiptare nga dita në ditë po shndërrohen në vendndodhjet e preferuara të turistëve të huaj, kjo për shkak të rritjes së cilësisë së shërbimit, pastërtisë, çmimeve konkurruese si dhe strukturave elitare që vendi i ka me shumicë.

Prej 4 ditësh, në një prej resorteve më të vizituara të bregdetit shqiptar në Durrës, mbi 200 agjenci turistike europiane organizuan konferencën që ka si qëllim promovimin e bregdetit shqiptar për verën e vitit 2025.

Përfaqësuesit e ITAKA grup, një prej gjigandëve europian të promovimit të destinacioneve turistike u shprehën se përmes të gjitha kompanive të pranishme do të paraqesin në botë ofertën turistike Shqiptare si një ofertë të pashmangshme për verën e vitit 2025.

"Shqipëria është një nga destinacionet kryesore të Itaka-s për vitin 2024. 44 mijë klientë polakë udhëtuan drejt Shqipërisë me ne. Vitin e ardhshëm kemi në plan të rrisim numrin e vizitorëve me 10 për qind. Shqipëria është një vend i sigurt për klientët tanë, gjë që është shumë e rëndësishme për tregun polak. Ndërkohë agjencitë më të mira të udhëtimit nga Polonia, por edhe të dhënat nga vetë Itaka tregojnë se këtu janë menaxherët më të mirë për tregun polak. Jemi të ftuar nga z. Fatos Çerenishti, hoteli është shumë i mirë dhe stafi shumë profesional. Shërbimi, ushqimi dhe dhomat janë komode dhe atmosfera është shumë e bukur", u shpreh Zv/President i “ITAKA”, Piotr Henicz.

Promovimi i vend ndodhjeve turistike të Shqipërisë prej vitesh ka sjellë pas një shpërblim të mirë tek njësitë që shërbejnë në këtë industri por edhe në ekonominë e vendit, si një prej motorëve kryesor të zhvillimit.

Kjo konferencë është një nga më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë e zhvilluara vitet e fundit në vendin tonë dhe pritshmëritë për verën e vitit 2025 për turizmin pritet që të jenë edhe më të mira se vera që lamë pas. 

Gazetar: Norel Zaimi

/rtsh.al/