RTSH 24 Live

Botë

Joe Biden në OKB: Izraeli dhe Hamasi t’i japin fund luftës, koha për një Gazë të lirë

3 orë para

Joe Biden në OKB: Izraeli dhe Hamasi t’i japin fund luftës, koha për një Gazë të lirë

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka mbajtur fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku i ka bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit të bien dakord për armëpushimin dhe marrëveshjen e lirimit të pengjeve që SHBA ka ndërmjetësuar me Egjiptin dhe Katarin.

 “Mijëra terroristë të Hamasit të mbështetur nga Irani sulmuan një shtet sovran, duke masakruar më shumë se 1200 njerëz, përfshirë 46 amerikanë në shtëpitë e tyre dhe në një festival muzikor. 250 persona të pafajshëm u morën peng. Jam takuar me familjet e atyre pengjeve. Ata po kalojnë vetë ferrin”, tha Biden.

Duke iu referuar vuajtjeve dhe viktimave në radhët e palestinezëve në Gazë, Biden nënvizoi se “civilët e pafajshëm në Gazë po kalojnë ferrin. Mijëra e mijëra civilë, përfshirë punonjësit e ndihmës, shumë familje të zhvendosura, të grumbulluara në tenda, po përballen me një situatë të rëndë humanitare. Ata nuk kërkuan këtë luftë që filloi Hamasi”.

Presidenti amerikan theksoi se tani është koha që Izraeli dhe Hamasi të finalizojnë kushtet e marrëveshjes së parashtruar nga SHBA me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.  

“Unë i parashtrova Katarit dhe Egjiptit një armëpushim dhe marrëveshje mbi pengjet. Është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Tani është koha që palët të finalizojnë kushtet e saj, të sjellin pengjet në shtëpi dhe të japin siguri për Izraelin dhe të kemi një Gazë të lirë nga kontrolli i Hamasit, të lehtësojnë vuajtjet në Gazë dhe t'i japin fund kësaj lufte”, deklaroi Biden.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan theksoi se bota nuk duhet të bjerë në dëshpërim edhe pse lufta vazhdon në të gjithë globin.

Ai kujtoi se si Izraeli dhe Egjipti ishin në luftë kur ai hyri në politikë pesë dekada më parë, por më pas vendosën paqen e tyre historike.

 “Izraeli dhe Egjipti shkuan në luftë, por më pas krijuan paqen historike. Gjërat mund të përmirësohen. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. E kam parë këtë gjatë gjithë karrierës sime. E di që shumë e shikojnë botën sot në vështirësi dhe reagojnë me dëshpërim, por unë nuk e bëj dhe nuk do ta bëj. Si udhëheqës, nuk e kemi luksin. I njoh sfidat nga Ukraina, në Gazë, në Sudan dhe më gjerë”, u shpreh Biden.

Fjalimi para organit ndërkombëtar i ofron Bidenit një nga mundësitë e tij të fundit të profilit të lartë si president. Biden ngriti edhe çështjen e Ukrainës për të cilën tha se presidenti rus Vladimir Putin ka dështuar në luftën e tij në Ukrainë.

/rtsh.al/