RTSH 24 Live

Aktualitet

Vijon puna për rindërtimin e një prej godinave bashkiake të dëmtuara nga tërmeti

2 orë para

Vijon puna për rindërtimin e një prej godinave bashkiake të dëmtuara nga tërmeti

Në Bulevardin “Zogu I” në Tiranë, vijon puna për ndërtimin e një prej godinave bashkiake të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. 

Godina vepër e arkitektit të persekutuar nga regjimi komunist Maks Velo, do të ketë dy kate shtesë, që do të përdoren nga institucionet bashkiake. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa inspektoi punimet që kanë vijuar edhe përgjatë gjithë muajit gusht, tha se në planin për ndërtimin e godinës së re parashikohet ndërthurja e arkitekturës ekzistuese sa i takon elementëve identifikues së saj. 

“Kjo është një zyrë e re, e cila njihej më përpara si "pallati i Maks Velos". Ende s’ka përfunduar, ne po i bëjmë me porosi pllakat që stilizonin dy katet e para të pallatit, ashtu siç i kishte bërë Maksi” tha zoti Veliaj. 

Më parë Bashkia e Tiranës kishte kthyer në identitet "Pallatin me Kuba", një tjetër vepër e arkitektit Maks Velo. Por më së shumti ai njihet si pallati i dy shkrimtarëve të njohur Ismail Kadare dhe Dritëro Agollit.

Vendimi për shembjen e godinës së vjetër të ideuar nga arkitekti Maks Velo, u mor pas vlerësimit nga Institutit i Ndërtimit si godinë e dëmtuar rëndë nga tërmeti. Në planin për ndërtimin e godinës së re parashikohet ndërthurja e arkitekturës ekzistuese sa i takon elementëve identifikues së saj.


/ rtsh.al /