RTSH 24 Live

Botë

Rritet bilanci i viktimave në Liban, mbi 558 të vrarë, mes tyre 50 fëmijë

3 orë para

Rritet bilanci i viktimave në Liban, mbi 558 të vrarë, mes tyre 50 fëmijë

Shifrat e viktimave dhe të plagosurve në Libanin Jugor nga bombardimet izraelite janë rritur ndjeshëm. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, numri i viktimave ka shkuar në 558 persona, mes të cilëve janë 50 fëmijë dhe 94 gra. Gjithashtu kanë mbetur të plagosur 1.835 persona, të cilët po trajtohen në 54 spitalet e vendit.

Mes të vrarëve janë edhe 4 mjekë ndihmës, ndërsa 16 nga punonjësit e spitaleve kanë mbetur të plagosur. Kjo ditë është cilësuar si një nga më vdekjeprurëse në Liban që nga 2006.

Sulmet izraelite kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, veçanërisht në Libanin jugor. Numri i njerëzve të zhvendosur në vend gjatë 24 orëve të fundit, nga zonat e prekura nga sulmet izraelite, ka arritur në 16/500, ndërsa mbi 150 shkolla janë kthyer në strehimore.

Izraeli ka zhvilluar këtë të martë bombardimet për të dytën ditë radhazi, ndërsa shprehet se do të “përshpejtojë veprimet sulmuese” në Liban.

"Ne nuk duhet t'i japim Hezbollahut pushim. Ne do të vazhdojmë të operojmë me forcë të plotë. Situata aktuale kërkon operacione intensive të vazhdueshme në të gjitha frontet” tha shefi i  Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi.

Për sulmet në Liban ka reaguar edhe Ministria e Jashtme palestineze duke thënë se zgjerimi i konfliktit nga ana e Izraelit synon "të largojë vëmendjen globale nga lufta e shfarosjes dhe zhvendosjes" kundër popullit të Gazës.

“Ndërsa sulmet ndaj shkollave dhe strehimoreve vazhdojnë në Gaza, Izraeli po punon për të izoluar popullin tonë dhe të kryejë më shumë krime masive", tha ministria në një deklaratë në rrjetin social X.

/rtsh.al/