RTSH 24 Live

Botë

Routh kishte qëllim të vriste Trump-in, prokurorët gjetën një letër ku i dyshuari shprehte këtë synim

3 orë para

Routh kishte qëllim të vriste Trump-in, prokurorët gjetën një letër ku i dyshuari  shprehte këtë synim

I dyshuari Ryan Routh që planifikoi të vriste Donald Trumpin në Florida më 15 shtator shkroi një letër disa muaj më parë për një "atentat të dështuar" ndaj ish-presidentit amerikan. Letra u zbulua kur 58-vjeçari doli në gjyq të hënën, ndërsa u vendos që ai të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve. Ai akuzohet për armëmbajtje të paligjshme dhe fshirjen e numrit të identifikimit të armës, ndërsa prokurorët thanë se do të kërkonin një akuzë për "vrasje në tentativë" kur ta çonin çështjen përpara një jurie të madhe. 

Nëse Routh shpallet fajtor për këtë akuzë ai do të përballej me një dënim maksimal, burgim të përjetshëm. Sipas prokurorëve, Routh dyshohet se para disa muajsh i kishte dërguar një personi të paidentifikuar një kuti ku ishte letra, municione, një tub metalik dhe sende të tjera, të cilën ai e hapi kur 58-vjeçari u arrestua.

Prokurorët thanë se në letrën e Routh që i drejtohej “botës” shkruhej: “Kjo ishte një përpjekje për të vrarë Donald Trumpin, por unë ju zhgënjeva. Bëra përpjekjet maksimale dhe përdora të gjithë energjitë e mia. Ju takon juve që ta mbaroni këtë punë dhe unë do të ofroj 150 mijë dollarë për këdo që e përfundon atë.” Ende nuk është e qartë nëse 58-vjeçari i referohej një tentative të mëparshme, apo ishte një parashikim se atentati në Florida do të dështonte.

Të hënën ish-presidenti akuzoi Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në për keqpërdorim dhe minimizim të tentativës për atentat ndaj tij në fushën e golfit. Ai kërkoi që çështja “Routh” t'u dorëzohet autoriteteve shtetërore në Florida, që drejtohet nga guvernatori republikan Ron DeSantis. Mendohet se atentati i korrikut ndaj Trump nuk ka lidhje me tentativën e dështuar të shtatorit për vrasjen e tij.

/RTSH/