RTSH 24 Live

Politikë

PS-Rithemelimi dakordësi për ngritjen e 2 komisioneve hetimore. Nënkomision për ligjet që kërkojnë konsensus politik

12/03/2024

PS-Rithemelimi dakordësi për ngritjen e 2 komisioneve hetimore. Nënkomision për ligjet që kërkojnë konsensus politik

Mazhoranca dhe grupi i Rithemelimit duket se kanë gjetur dakordësinë parimisht lidhur me kthimin në normalitet të jetës parlamentare dhe ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, ajo për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS si dhe komisioni hetimor për koncesionet e dhëna në Shëndetësi.

Pas diskutimit në Konferencën e Kryetarëve u arrit që Gazmend Bardhi nga opozita dhe Klodilda Bushka nga mazhoranca të punojnë së bashku për anëtarësinë e komisioneve hetimore. Të mërkurën 13 mars, do të zhvillohet sërish një seancë për të vendosur për anëtarët e Komisioneve hetimore që pritet të ngrihen.

Pas mbledhjes kryetari i grupit parlamentar i PS, Bledi Çuçi tha se është arritur dakordësi që të krijohet një nënkomison për të diskutuar ligjet e rëndësishëm që kërkojnë konsensus politik dhe shumicë të cilësuar votash në Kuvend.

Çuçi tha se aty së bashku me ekspertizën teknike të duhur do të arrihet dakordësia politike dhe më pas do të kalojën për votim në Kuvend. Kjo, tha Çuçi, i jep fund kaosit 5 mujor në Kuvend dhe kthimit të tij në normalitet.

"Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar. Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale.

Ramë dakord në parim për kthimin e jetës parlamentare normale sidomos për ligjet me shumicë të cilësuar ku këkrojnë konsensus politik. Këto ligje do t’i diskutojmë paraprakisht në bërthama më të vogla se komisionet përkatëse ligjore dhe më pas të arrijmë një konsensus politik që t’i kalojmë në vendimmarrje poltike dhe në fund t’i kalojmë me shumicë të cilësuar në Kuvend. Këto janë procedura që ne I kemi ndjekur për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe konsensus politik”, tha Çuçi.

Lidhur me Reformën Zgjedhore, Çuçi tha se Komisioni i Reformës Zgjedhore është funksional dhe i përfaqësuar nga të gjitha rrymat e opozitës dhe në fund të mandatit do të jap dhe një produkt.

"Komisioni zgjedhor do përfundoj mandatin me një produkt. Aty janë të përfaqësuar të gjithë degët opozitare. Produkti I komisionit bipartizan i Zgjedhores do të shqyrtohet në procedura parlamentare si gjithmonë. Komisioni mund të mos ketë produkt. Ne i qëndrojmë idesë që Shqipëria ka një kod zgjedhor funksional", tha Çuçi.

Edhe deputeti i opozitës Gazmend Bardhi tha se është arritur dakordësia në parim për ngritjen e komisioneve hetimore që opozita i ka kërkuar para 5 muajve.

Bardhi tha se është rënë dakord që të krijohet një strukturë e re për diskutimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave duke përfshirë edhe Reformën Zgjedhore.

“Sot pas 5 muajsh, mbledhja e Konferencës së kryetarëve u kthye më 12 tetor aty ku nisi edhe motivi i opozitës për bllokimin e punës. I kam bërë apel mazhorancës që të mos marrin vendim të nxituar, të marrin kohë të nevojshme për një dialog parlamentar të nevojshëm. Me arrogancë më 12 tetor u vendos rrëzimi i kërkesës për komision hetimor lidhur me PPP në shëndetësi, rrëzimi i komisionit hetimor për TIMS dhe u vendos refuzimi i kërkesës për të ndryshuar përbërjen e komisionet të Reformës Zgjedhore.

Lajm i mirë që pas 5 muajsh rezistencë për këtë arrogancë të shfaqur më 12 tetor nga ana e mazhorancës, ata kanë reflektuar dhe i diskutojmë. Ka pasur vendimmarrje në parim, kemi rënë dakord për pranimin e kërkesës së opozitës për komisionin në shëndetësi, për ndërhyrjet e paligjshme në TIMS dhe kemi rënë parimisht dakord që çdo ligj që kërkon 3/5, pa përjashtuar Reformën Zgjedhore, të diskutohet në një nënkomision që do ngrihet mes PS dhe grupit të PD, me vendimmarrje që merren me konsensusin e të dyja palëve”, tha Bardhi.

/rtsh.al/