Pas 32 vitesh PS thyen bastionin e Shkodrës. Bashkia më e madhe e veriut do të drejtohet nga socialisti Benet Beci i cili në zgjedhjet e së dielës të 14 majit arriti të merrte më shumë se 11 mijë vota kundrejt kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Bardh Spahia i cili mbante postin e kryetarit të bashkisë së këtij qyteti.
“Një fitore historike dhe rezultat i papritur, duke pasyr parasysh se Beci ka dalë fitues në zona që janë njohur si bastione të së djathtës, si zona e Postribës, ku Beci ka arritur të dalë fitues me 500 vota më shumë. Edhe brenda në qytet në lagjet Kiras e Rus, të cilat janë konsideruar si bastione të PD-së, Beci ka arritur të fitojë”- analizon gazetari i RTSH-së Mirsad Rakaj.
Nga shtabi i kandidatit Spahiaj nuk ka pasur asnjë deklaratë, por vetëm heshtje.
Duke falenderuar komisionerët nga KZAZ-ja numër 2 në Shkodër, Beci tha se “do ta bëjmë Shkodrën qendër të rajonit”.
"Mirënjohës ndaj secilit prej jush, për qytetarinë, seriozitetin dhe përkushtimin! Faleminderit nga zemra!"- shkruan Beci në Facebook.
Ndërkohë në Malësinë e Madhe vijon numërimi. Kandidati i PS-së, Tonin Zef Marinaj është në epërsi me 61 % e votave kundrejt kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Isa Ramaj, me mbi 38 %. Në qarkun e Shkodrës, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ka arritur të marrë Pukën dhe Fushë Arrëzin.
Në Pukë, kandidati, Rrok Dodaj, ka fituar me 58.13 % të votave, kundrejt Gjon Gjonajt të PS-së, me 41.87% të votave. Në Fushë Arrëz fitoi Hil Curri i “Bashkë Fitojmë”.
/rtsh.al/