Teksa sot (14 gusht) është afati i fundit për Fredi Belerin që të betohet si kreu i Bashkisë së Himarës, mbështetësit e tij janë ngritur në një protestë duke kërkuar lirimin nga burgu, në mënyrë që ai të marrë detyrën. Protesta po zhvillohet jashtë zyrës së Omonias në shëtitoren e Spilesë, ndërsa të pranishëm janë edhe Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakojanis dhe ai i Selanikut, Kostandinos Zervas.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë lekë për vota.
E ndërsa sot në Himarë protestohet për lirimin e Belerit, po përfundon edhe afati i tij për t’u betuar si kryebashkiak. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë më herët ka thënë se afati për t'u betuar është tre muaj, ndërsa shtonte se për aq kohë sa nuk ka vendim të formës së prerë, Beleri mund ta marrë mandatin e kryebashkiakut.
Por çfarë parashikon Ligji për Vetëqeverisjen Vendore për këtë rast?
Neni 61
Përfundimi para kohe i mandatit të kryetarit të bashkisë
- Mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari: a) nuk pranon të bëjë betimin; b) jep dorëheqjen; c) nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur; ç) shkarkohet, sipas nenit 62 të këtij ligji; d) kandidon për deputet; dh) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë; e) vdes.
- Kryetari i bashkisë në rastet e dorëheqjes e depoziton atë pranë këshillit bashkiak përkatës.
Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit.
- Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit.
- Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
- Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
- Në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.
Neni 62
Shkarkimi i kryetarit të bashkisë
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
- kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
- dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
- propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
/rtsh.al/