RTSH 24 Live

Politikë

Protesta për Belerin/ Kryebashkiaku i Athinës: Demokracia nuk burgoset, mandati i popullit nuk falsifikohet

15/08/2023

Protesta për Belerin/ Kryebashkiaku i Athinës: Demokracia nuk burgoset, mandati i popullit nuk falsifikohet

Përpjekjet e Greqisë për lirimin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit nga paraburgimi, u intensifikuan një ditë më parë, duke kulmuar me pjesëmarrjen e Kryebashkiakut të Athinës dhe Selanikut në protestën e organizuar nga “Omonia”.

Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakojanis ndërsa bëri thirrje për lirimin e Belerit dhe betimin e tij si kryebashkiak i Himarës, u shpreh se demokracia nuk burgoset dhe se zëri i qytetarëve nuk mund të shuhet.

 “Si kryetar i bashkisë së Athinës dhe gjithashtu si kryetar i rrjetit B40, i cili përbëhet nga dhjetëra bashki në 11 vende të Ballkanit, ju përcjell mesazhin: Demokracia nuk burgoset. Zëri i qytetarëve nuk shuhet. Mandati i popullit nuk falsifikohet”, tha ai para protestuesve.

Të paligjshëm e ka konsideruar edhe kryebashkiaku i Selanikut, Konstantinos Zervas, arrestimin e Belerit. Sipas tij, mbajtja e Fredi Belerit në paraburgim, nuk mund të ketë kurrsesi lidhje me rrugëtimin europian që dëshiron të marrë Shqipëria.

 “Populli ynë është pranë jush. Dhe ne do ta luftojmë këtë betejë së bashku. Dhe ne do ta japim atë në të gjitha gjatësitë dhe gjerësinë e botës. Tashmë me iniciativën time i është dërguar një letër të gjithë rrjetit të qyteteve simotra me Selanikun në lidhje me çështjen Beleri. Nga Sydney në San Francisko... Të gjithë duhet të dinë pse Fredi po torturohet dhe po i shkelen të drejtat. Askush nuk mund të thotë se nuk e dinte se në këtë cep të dheut, Demokracia kërcënohet dhe shkulet nga rrënjët. Sepse beteja për të drejtat e Belerisit është një betejë për demokracinë dhe mbrojtjen e minoritetit etnik grek. Dhe burgimi i tij i paligjshëm nuk ka të bëjë fare me rrugën që dëshiron të marrë Shqipëria”.

I pranishëm në tubim, ishte dhe nënkryetari i Komisionit europian Margaritis Schina i cili i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të lirojnë Belerin, pasi kjo sikurse u shpreh ai, është në interes të aspiratave europiane të popullit shqiptar.

Ajo që po ndodh me Belerin, theksoi Schina, është thellësisht anti-europiane.

“U bëj thirrje edhe një herë fqinjëve dhe miqve shqiptarë që të mos vazhdojnë në një taktikë që nuk është në interes të vendit të tyre, e cila nuk është në interes të aspiratave evropiane të popullit shqiptar.

Ka humbur shumë kohë, por edhe tani, në këtë orë të fundit, nuk është vonë për të rikthyer padrejtësinë e bërë ndaj Fredis Belerisit. Ajo që po ndodh me Fredisin është thellësisht anti-evropiane.

Jam i sigurt që edhe në këtë orë të fundit Fredisi do të jetë në gjendje të marrë detyrën si kryebashkiak i Himarrës dhe asnjë opsion tjetër nuk mund të pranohet nga BE-ja”, tha ai.

Në protestën e organizuar një ditë më parë nga Omonia, kanë qenë të pranishëm gjithashtu, kreu i PBDNJ Vangjel Dule, përfaqësues i Omonias, demokrati Ivi Kaso dhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Maniani.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri reagoi nga burgu në lidhje me protestën e zhvilluar për lirimin e tij.

Në deklaratën e tij, Beleri e konsideroi qeverisjen e kryeministrit Edi Rama si regjim, teksa akuzat ndaj tij i quajti “qesharake” dhe të “padrejta”.

Sipas Belerit, qeveria po mundohet të vjedhë pronat në Himarë, teksa pretendon se kjo është edhe arsyeja se pse ai ndodhet në burg.

Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë lekë për vota.

E ndërsa dje në Himarë protestohej për lirimin e Belerit, afati i tij për t’u betuar si kryebashkiak, përfundoi.

/rtsh.al/