Opozita do të vijojë këtë të enjte (1 gusht) protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në kuadër të tubimit që do të mbahet në orën 11:00, Policia ka ndërmarrë masa, duke bllokuar disa segmente rrugore.
Nga ora 09:30 e deri në përfundim të protestës do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
“Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”, thuhet në njoftim.
Opozita ka mbajtur një sërë protestash para Bashkisë, tubimeve të së cilës iu është bashkuar edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, për të kërkuar dorëheqjen e Veliajt pas arrestimeve të 3 drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, asaj që e konsiderojnë si aferën e incineratorëve dhe shembjen e Teatrit Kombëtar.
Thuajse të gjitha protestat janë shoqëruar me përplasje mes policisë dhe protestuesve.
/rtsh.al/