Partia Demokratike zhvilloi të shtunën protestën e paralajmëruar kundër qeverisë, duke mbledhur mbështetës të shumtë para selisë së vet përpara se ata t'i drejtoheshin Kryeministrisë.
Rreth 1 mijë efektivë blu monitoruan dhe menaxhuan tubimin e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha ndaj asaj që ai e quan "narkoqeveria".
Protesta erdhi pas akuzave të ngritura nga ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, i cili ka aluduar se njerëz të pushtetshëm në qeveri kanë lidhje korruptive dhe me botën e krimit.
Tubimi, që ishte parashikuar të zgjaste dy orë, mësohet se është një përmbyllje e aksioneve të mosbindjes civile të zhvilluara nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë vitin e kaluar. Në fokus ishin kryesisht mesazhet politike.
Aksioni i fundit do i lërë më tej hapësirë opozitës për gara të brendshme politike në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
"Çdo shtet ka mafien e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Tani kjo dëshmohet publikisht edhe nga ish-zv.kryeministri socialist Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës për 10 vite në pushtet. Kjo është një dëshmi historike, sepse vjen nga një dëshmitar okular i disa prej aferave më tronditëse të Edi Ramës, me prova dhe shkresa zyrtare, por mbi të gjitha me gatishmërinë për të dëshmuar edhe para një gjykate ndërkombëtare. Ahmetaj na provoi se si shteti është shndërruar në organizatë kriminale dhe Edi Rama është kryetar i organizatës. Ai na tregoi se SPAK-u është një instrument i Edi Ramës, që përdoret si komandë elektorale për mbulimin e krimeve zgjedhore dhe goditjen e opozitës politike.
"Drejtësia e Re" është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur. Koha e gjykimit u shumëfishua, transparenca u zëvendësua me dhomat e mbyllura. Për të ndjekur një çështje, tani duhet të paguash. Po kështu harta e re gjyqësore e bëri drejtësinë edhe më të paarritshme edhe më të largët edhe më të pamundur edhe më të shtrenjtë për qytetarët. Ndaj asnjë vend tjetër se pranon këtë eksperiment të turpshëm. Pse hesht Dumani për çështjen McGonigal që e ka kyçur në sirtar? Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI- së në SHBA. Si shpjegohet që ka 2 vite që nuk e thërret njëherë Edi Ramën ta pyesi për McGonigalin edhe pse emri i tij del dhjetëra herë në procesin e McGonigalit dhe këtë e di e gjithë bota. Si shpjegohet që një ish-zyrtar i LSI-së, i cili ka firmosur për lobimet e ka qenë përgjegjës për financat, hyn te Dumani si opozitar e del nga Dumani si rilindas, e bën fushatë për Edi Ramën, ndërsa unë mbahem në burg për firmat e tij. Se ky është SPAK-u, inkuinzitor për opozitarët e pashantazhueshëm dhe patriotë, pengmarrës për ata që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur, të cilët i konverton në shërbërtorë të “Rilindjes” dhe garant i pandëshkueshmërisë së Ramës dhe pamundësimit të rotacionit politik .
Ndaj 11 Maji është dita historike e skadencës së Narkoregjimit dhe Narkodrejtësisë. 11 Maji do të jetë dita e triumfit të sovranit, të patriotëve dhe liridashësve. Gjej rastin t'i ftoj të gjithë vëllezërit tanë emigrantë kudo ndodhen që të nxitojnë që të regjistrohen që të mos humbasin këtë mundësi historike për të kontribuar për rivendosjen e vendit të tyre në shinat e Kushtetutës, për rikthimin e lirisë, të demokracisë dhe të llogaridhënies dhe në këtë mënyrë i hapet rruga dhe riintegrimit në atdheun e tyre."
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu
"Ne jemi këtu së bashku jo për pushtetin, por për shtetin e shqiptarëve. Jemi në emër të atyre që sakrifikuan jetën dhe të ardhmen e tyre kundër komunizmit në emër të lirisë. Jemi këtu në emër të prindërve tanë, me të cilët sot qeveria tallet me pensione qesharake. Jemi në emër të rinisë, të intelektualëve, të cilët janë përzënë qëllimisht nga qeveria drejt rrugëve të opozitës, me qëlli që njerëzit këtu të mos kenë forcë, të mos kenë zë, por të ulin kokën para varfërisë, krimit dhe korrupsionit. Jemi në emër të fëmijëve tanë, nipërve dhe mbesave, të së ardhmes që nuk mund të ndërtohet pa lirinë për të folur, për të vendosur, për të qenë të gjithë së bashku një komb europian.
Kjo qeveri ka ndërtuar një mur të madh, ku në njërën anë janë shqiptarët, të cilët duan jetën e lirinë dhe mundësinë për të ndërtuar lirinë e tyre dhe nga ana tjetër është qeveria. Në njërën anë janë ata që besojnë në Zot dhe duan Zotin dhe lirinë e tyre, nga ana tjetër janë ata që shikojnë qeverinë, kryeministrin si Zot të tyre. Shqiptarët, ne duhet të bashkohemi për ta shembur këtë mur të fëlliqur dhe të marrim në dorë të ardhmen tonë."
Kryetari i Partisë Agrare-Ambientaliste, Agron Duka
"Kjo mazhorancë politike ka dalë tërësisht nga binarët e ligjit dhe ata që qeverisin nuk sillen si qeveritarë, por si pronarë të kësaj toke. Ata dhurojnë toka në bregdet për t'u bërë atyre rezorte, duke përdorur edhe para të pista. Ata e vënë çmimin e kilometrit të rrugës sa të duan. Ata ia marrin tokën fshatarit, ia shembin shtëpitë pa i kompensuar ose me një çmim qesharak. Ata miratojnë me bujë ligje për të mbrojtur zonat natyrore, pastaj i ndryshojnë natën për të lejuar ndërtimet në këto zona. Ligji për ta nuk është pengesë.
Këta e kanë humbur çdo sens serioziteti për të qeverisur. Për të mbuluar abuzimet, arma e tyre më e fortë është propaganda.
Para gjithë këtyre vjedhjeve dhe historive korruptive, a është më mirë të qëndrojmë nëheshtje apo në pritje se situata do të ndryshojë? Mos mendoni që ata që shpërdorojnë ligjin dhe fondet publike një ditë do të thonë nuk e bëjnë më., se do të hyjnë në rrugë të mbarë. Duhet ta ndryshoni ju, ndaj është vota. Unë nuk synoj më as karrigen e deputetit, as të ministrit. Unë dua që në këtë vend të punohet e jetohet me të drejtë dhe dinjitet, që të sundojë rregulli, ligji dhe barazia përpara tij."
/rtsh.al/