"Ky ka fituar mbi të gjithë ne shpirtin e pandalshëm për të shkruar mbi teatrin. I mbeti kjo si sëmundje e përjetshme, dashuria për të shkruar." - Me këto fjalë do ta përkufizonte, ish-studenti dhe aktori i mirënjohur Mevlan Shanaj, pasionin e hershëm që Mjeshtri i Madh Miho Gjini ka pasur dhe vazhdon të ketë për të shkruarit.
Promovimi i librit të tij të fundit, "Brezi i artë i aktrimit", u bë në Universitetin e Arteve, ku ai pati gjenezën e tij artistike e ku me nostalgji, në praninë e ish-studentëve - sot aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare - dhe studentëve aktualë, ndau pjesë nga jeta personale, akademike dhe artistike.
"Unë jam nga ish-studentët e parë të Fakultetit të Aktrimit dhe nga pedagogët e parë të Shkollës së Aktrimit. Këtë mbresë e ruajta ndër vite, edhe kur më syrgjynosën larg e isha i detyruar të mërgoja. Por dashuria ime e parë, teatri, mbetet tek unë e përjetshme," tha mjeshtri Gjini.
Libri "Brezi i artë i aktrimit" e çon në 37 numrin e kolanës së botimeve që Mjeshtri i Madh Miho Gjini ka shkruar mbi gjashtë dekada. Aty shpaloset jeta artistike e 25 artistëve të skenës dhe ekranit shqiptar.
E ndërsa shpresa e tij artistike për të sjellë të tjerë libra për lexuesit mbetet ende gjallë.
"Ashtu sikundër qielli është i mbushur me yje, që është vështirë t'i numërosh, unë nga këto yje zgjodha 25, pa lënë jashtë librit edhe shumë yje të tjerë. Vetë qielli që mbushet me yje nuk numërohet dot dhe unë kaq numërova. Do Zoti më jep jetë përsëri e të radhit edhe të tjerët," u shpreh Mjeshtri i Madh.
Ky promovim përkon me 65-vjetorin e çeljes për herë të parë të degës së aktrimit, aty ku artisti i madh Miho Gjini, si pjesë e brezit të parë të studentëve, u ul për herë të parë në bankat e universitetit.
Gazetare: Ornela Vorpsi
/rtsh.al/