RTSH 24 Live

Kulturë

Shtëpia e Dritëro Agollit kthehet në muze për vizitorët

13/10/2024

Shtëpia e Dritëro Agollit kthehet në muze për vizitorët

Në 93-vjetorin e lindjes së tij, Bashkia e Tiranës çeli mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”. Muzeu kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli do të prezantojë një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit.

Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se sot familja e Dritëroit janë të gjithë shqiptarët kudo ku janë. “Jam vërtet i emocionuar sepse është një rikthim në një hapësirë për qytetin. Më shumë se shtëpia e tij, kjo ka qenë një zyrë pritje e popullit, aspak tradicionale. Njerëzit te Dritëroi shihnin një institucion. Ne të gjithë kemi ecur mbi supet e gjigantëve, prandaj jemi këtu sot. Pa supet e tyre, ne do kishim ngelur akoma një vend i shtypur, i izoluar. Ndaj, do të doja shumë që ky vend të ishte një oaz refektimi. Sot familja e Dritëroit është gjithë Tirana, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, edhe të huajt që kanë një tërheqje për të njohur vendin tonë, nga ky turizëm i jashtëzakonshëm”, deklaroi Veliaj.

Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, vlerësoi nismën dhe këmbënguljen e kryebashkiakut Veliaj për ta realizuar këtë projekt.

“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por dhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit dhe të civilizimit”, deklaroi Elona Agolli.

Vera Ibrahimi, bashkëshortja e Feim Ibrahimit, tha se hapja e kësaj shtëpie sot tingëllon si një zile që i thërret të gjithë për të vizituar trashëgiminë që la pas Dritëro Agolli.

“Për mua është emocion shumë i madh sot. Më vjen shumë mirë që sot kjo derë u hap. Sa herë që ngjisja shkallët vetvetiu doja të pyesja Sadijen si është Dritëroi sot. Tani që u hap, më tingëllon në zemrën time sikur një zile na thërret të gjithëve për të ardhur këtu dhe për ta shijuar edhe më shumë këtë që Dritëroi i madh la trashëgimi.  Një homazh dhe për Sadijen se ishte një grua shumë e rrallë, që nuk u mërzit kurrë së pritur njerëz në shtëpi. Gjithmonë dera ka qenë hapur”.

Dritëro Agolli ka qenë poet, prozator, gazetar dhe publicist i njohur. Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

/rtsh.al/