Gjendja e arkivave teatrorë, pasurimi me shfaqje të humbura në kohë dhe digjitalizimi i materialeve të vjetra, ishte tema që bëri bashkë në Teatrin Skampa të Elbasanit, aktorë, regjisorë dhe studiues të arteve. Nën organizimin e Akademisë së Shkencave studiuesja
Dr. Anxhela Çikopano nënvizoi rëndësinë e kontributit të komunitetit teatrorë, ndërsa apeloi që çdo kush të sjellë pjesët e ruajtura, në qendrën e studimit të artëve për t‘i digjitalizuar ato.
“Të lëvizim komunitetin teatrorë që të na rikthejnë materialet që kanë në shtëpi për të pasuruar sa më shumë arkivat. Qendra e Studimit të Arteve në Akademinë e Shkencave po bën ndarjen e ngjarjeve artistike, po bën një fjalor enciklopedik mbi artin dhe nëse ne nuk kemi të dhëna nga artistë dhe nga arkivat do të jenë publikisht të zhdukur”, u shpreh Studiuesja e Teatrit, Anxhela Çikopano.
Studiuesi Feta Biza, ka dhënë kontributin e tij për plotësimin e arkivit të shtypit.
“Kam grumbulluar materialet e shtypit të kohës edhe të pjesës së parë kur teatri ka qenë diletant nëpërmjet Shtëpisë së Kulturës dhe kur ka qenë profesionist në teatrin “Skampa”, u shpreh studiuesi Feta Biza.
Dirigjenti Sami Kaziu shprehet se pas viteve ‘90 situata e arkivave të koncerteve ne Teatrin Skampa u rëndua, për shkak se shumë prej partiturave u hodhën apo u dogjën.
“Kam gjetur partitura të hedhura cep më cep kur në fakt ato duhen arkivuar. Këtu ka pasur shumë mangësi”, tha dirigjenti, Sami Kaziu.
Puna për studimet arkivore pritet të shtrihet edhe në teatrot e qyteteve të tjera të vendit, për të mos lënë të vishet me pluhurin e harresës përkushtimin e një kaste të gjere aktorësh, regjisorësh e shkrimtarësh me kontribut të vyer në artin shqiptar.
/RTSH/