“Ëndërr në Papafingo” është premiera e radhës nga regjisori Leka Bungo e cila nëpërmjet humorit, satirës dhe mesazheve të forta përshkruan realitetin e viteve 70 një të shkuare që duhet të sillet në vëmendje për të mos u kthyer më kurrë.
“Ngjarja ndodh në një familje të atyre viteve, e ardhur në Tiranë nga fshatrat e jugut dhe duan të fejojnë vajzën e vet me nipin e një prej pushtetarëve të asaj kohe”, u shpreh aktorja Ilirda Bejleri.
“Ëndërr në Papafingo”, është një komedi lirike e shkruar nga Bungo, ku ngjarjet e komedisë i ka zhvendosur në realitetin e viteve 70, por çfarë e bën aktuale në ditët e sotme?
“Ajo çka është universale dhe aktuale është liria e individit, pjesa e dashurisë, marrëdhëniet e forcuara që edhe sot e kësaj dite familjet tentojnë tek fëmijët e tyre', u shprej aktorja.
Komedia e cila është një vepër hibride, ku alternohen situatat dhe karakteret do të interpretohet nga një kast i talentuar aktorësh si Ilirda Bejleri, Miola Sitaj, Naun Shundi, Artan Islami, Ligoraq Riza, Florian Agalliu, dhe Astrit Hasani. Shfaqja do të vij për publikun në datat 21 dhe 22 nëntor, në skenën e Teatrit Bylis në Fier dhe më pas do të ngjitet edhe skenën e teatrit "Skampa" në Elbasan.
/RTSH/