RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja e 14-vjeçarit, AMA apel për raportim profesional: Abuzimet do të trajtohen sipas ligjit

4 orë para

Vrasja e 14-vjeçarit, AMA apel për raportim profesional: Abuzimet do të trajtohen sipas ligjit

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar të martën, lidhur me mbulimin nga mediat audiovizive të ngjarjes së rëndë që ndodhi më 18 nëntor në kryeqytet, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një konflikti me një bashkëmoshatar të tij.

Në njoftimin për mediat, AMA vlerëson se shumica e mediave kanë raportuar me profesionalizëm dhe me kujdes, duke respektuar dhimbjen e familjarëve dhe ndjeshmërinë e publikut.

Megjithatë, Autoriteti shprehet i shqetësuar për raste të veçanta të publikimit të informacioneve të panevojshme apo të pakonfirmuara, të cilat përbëjnë një qasje sensacionale dhe larg anës njerëzore të ngjarjes.

“Mbulimi i dinamikës së ngjarjes dhe kërkimi i shkaqeve, që e shtynë grupin e adoleshentëve drejt dhunës, si pasojë e së cilës humbi jetën njëri prej tyre dhe u plagosën disa të tjerë, nga shumica e mediave audiovizive po kryhet me profesionalizëm dhe kujdes, që raportimi të mos lëndojë më shumë familjarët dhe të afërmit, në respekt të dhimbjes dhe dëshpërimit të tyre. Gjatë monitorimit është vënë re megjithatë edhe publikim të dhënash dhe hollësish të panevojshme apo të pakonfirmuara, të cilat përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore. Natyrisht raste të tilla do të trajtohen, siç e parashikojnë dispozitat ligjore, por sot, më e rëndësishmja është ruajtja e etikës profesionale dhe respektimi i kodeve njerëzore”, njofton AMA.

Në emër të interesit më të lartë të fëmijës dhe respektit për dhimbjen e të prekurve, AMA nxit redaksitë të tregojnë profesionalizëm maksimal në mbulimin e kësaj çështjeje, për të shmangur ndikimin negativ në opinionin publik dhe për të mos krijuar precedentë të dëmshëm.

“Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së mbarë opinionit publik shqiptar dhe detyrimit shoqëror gjithëpërfshirës, për të mos lejuar, që ngjarje të tilla të shndërrohen në precedent, Autoriteti i Mediave Audiovizive bën thirrje për profesionalizëm dhe përgjegjësi maksimale, përputhur me standardet e parashikuara në ligjin 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Kodin e Transmetimit dhe aktet e tjera nënligjore në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, i cili nga ana e vet, vijon monitorimin e transmetimeve, do të shqyrtojë çdo rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore, duke ua adresuar ato redaksive respektive. Pritshmëria e Autoritetit është pasqyrimi sa profesional aq edhe etik i ngjarjes, në respekt të dhimbjes, ndjenjave dhe dinjitetit të të prekurve”, përfundon njoftimi i Autoritetit të Mediave Audiovizive.

/rtsh.al/